Afaristët kroatë, të kënaqur me atë çfarë panë në Kosovë|Video
Ekonomi

Afaristët kroatë, të kënaqur me atë çfarë panë në Kosovë|Video

Faton Salihu / RTK

Afaristët kroatë të cilët morën pjesë në forumin e parë ekonomik Kosovë-Kroacisë, u shprehën të kënaqur me atë se çfarë panë dhe kuptuan për Kosovën. Në ditën e dytë të forumit, ata vizituan Parkun e Biznesit në Drenas dhe atë në Prizren, ndërsa theksuan se, ndryshe nga siç janë informuar nga mediet, progresi në Kosovë është i dukshëm.

Mbi 110 milionë euro është raporti tregtar mes Kosovës dhe Kroacisë. Sipas të dhënave, në vitin 2022, importet nga ky shtet kanë qenë rreth 102 milionë euro, ndërsa eksportet e Kosovës rreth 10 milionë euro. Ndërsa për momentin, më shumë se 160 kompani kroate punojnë në Kosovë dhe me rreth 650 të punësuar.

Afaristët të cilët morën pjesë në forumin ekonomik, e që për shumicën prej tyre ishte hera e parë që e vizituan Kosovën, thanë se ndryshe kanë pas informacione për Kosovën e ndryshe është situata reale. Ata kërkojnë rritje të bashkëpunimit mes dy vendeve.

“Përshtypja ime është shumë më e mirë se çfarë kam pritur, sepse nga mediat kemi pamjet se disa gjëra janë ashtu që në të vërtetë nuk janë dhe kur vjen këtu e sheh realitetin, sheh diçka që nuk ke pritur, sheh që ju jeni në një periudhe të mirë të investiemve, dhe se jeni duke u ngritur, dhe shpresoj që do të bëheni ma shpejtë anëtar të Bashkimit Evropian, dhe do të shihni benefitetet nga të cilat kompanitë mund të bëjnë shumë më shumë. Unë jam pronar i një kompanit të teknologjisë informative, dhe mendoj se kemi mundësi të shumta që të bashkëpunojnë me njerëzit dhe kompanitë e Kosovës të cilët janë të specializuar në këtë fushë”, thotë Andrej Steven Horvat, afarist kroat.

“Unë vij nga Spliti, jam pronar kompanie i një në sektorin e ndërtimit, kemi ardhur në Kosovë të gjejmë partner, ndoshta dikush që është i gatshëm që të vie në Kroaci për të ndërtuar objekte. Kjo është hera ime e parë në Kosovë dhe mendoj se është shumë mirë, progresi është i madh pasi kam parë lajme në televizor, mendoj se progresi është i madh dhe jeni në rrugë të duhur të përmirësoheni në vazhdimësi. Ne kemi bërë disa kontakte për fillim dhe shpresoj se do të bashkëpunojmë, pasi kemi qëllim të njëjtë”, thotë Srdan Javorçiç.

“Përfaqësoj një Universitet Privat të Kroacisë, kemi ardhur këtu të shohim mundësitë se cfarë mund të bëjmë në aspektin e shkëmbimit të profesorëve dhe studentëve, kjo është hera e dytë që jam këtu. Mendoj se në një përiudhë të ardhshme duhet të bëjmë më shumë në programet e Bashkimit Evropian”, thotë Gordana Nikoliç, dekane e Universitet Privat të Kroacisë.

Deputetja shqiptare në Kroaci, Emina Përlaskaj, tha se forumi ekonomik mes dy vendeve duhet të mbahet çdo vit.

“Kjo është hera e parë që dy vendet mbajnë forum ekonomik. Të gjithë pjesëmarrësit theksuan nevojën për t'i rritur investimet dhe raportin tregtar”, thotë Ermina Përlaskaj, deputete shqiptare në Kroaci.

Për dy ditë më shumë se 50 afaristë kroatë qëndruan në Kosovë.


MË SHUME NGA Ekonomi