Ministri Vitia: Lista e barnave esenciale është në procedurë
Valjeta Shala/RTK
Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, priti në takim ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia.
Pas përfundimit të takimit, i cili zgjati pothuajse një orë, kryetari Bulliqi dhe ministri Vitia vizituan hapësirën e destinuar për Shërbime Specialistike, nga ku u tha se së shpejti në këtë qendër do të fillojnë shërbimet specialistike.
Ata vizituan dhe punimet në Urgjencën e Qytetit.
Më pas ministri dhe kryetari përuruan edhe Qendrën e Mjekësisë Familjare në Gllamnik, ku u mbajt edhe një konferencë për medie.
“Arseja e këtij takimi është që të diskutojmë rreth mundësisë së fillimit të shërbimeve specialistike, me këtë rast ne u dakorduam që të fillojmë sa më shpejtë”, tha kryetari Bolliqi.
Tutje, ai sqaroi se u bisedua edhe për një varg çështjesh që janë të nevojshme që të fillojnë sa më shpejtë.
“Ne jemi në një ambulancë, falë bashkëpunimit me Katarin. Kemi të bëjmë me një objekt të kompletuar që do t’i plotësojë nevojat e qytetarëve”, deklaroi, mes tjerash kryetari Bulliqi.
Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, me këtë rast, deklaroi se kishte takim informues, ku nga afër pati rastin të njihej me gjendjen në terren.
“Tash ne do ta bëjmë punën tonë dhe jemi të përkushtuar që shërbimet sekondare dhe vizitat nëpër shtëpia të ofrohet sa më shpejt edhe në këtë komunë”, deklaroi ministri Vitia.
Ndërkaq, i pyetur nga RTK për mungesën e furnizimit me barna, ministri tha se është bërë përgatitja e listës esenciale dhe është në procedurë. Më tej ai u shpreh se nuk do të lejojnë të ketë dështim sa i përket furnizimit dhe, me shumën e ndarë, do të ulet ndjeshëm gjendja, si pasojë e mungesës së barnave.

























