S’ duan marzhë mujore, Shoqata e Naftëtarëve kundër MINT-së/Video
BKT
Foto: RTK
Ekonomi

S’ duan marzhë mujore, Shoqata e Naftëtarëve kundër MINT-së/Video

Qëndresa Duraku/RTK

Rregullimi i tregut të naftës për një muaj, ka mbledhur me urgjencë në një takim Shoqatën e Naftëtarëve të Kosovës. Ata janë pajtuar që vendimin e Ministrisë së Tregtisë ta çojnë në gjykatë. Thonë se me këtë vendim mund të falimentojnë bizneset.

Qytetarët nuk e kanë vërejtur ende ndonjë ndryshim në çmimin e naftës në ditën kur ka hyrë në fuqi vendimi i Ministrisë së Tregtisë për të hyrat maksimale të lejuara.

"Ndryshime shumë pak, centa të vogël janë por problemi kryesor është cilësia e naftës është shumë e dobët", deklaroi Kushtrim Bekolli, qytetar.

Rregullimi i çmimit të naftës nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka mbledhur me urgjencë Shoqatën e Naftëtarëve të Kosovës. Kryetari Fadil Berjani, tha se ende nuk kanë pranuar vendimin e Ministrisë, por janë pajtuar që vendimin ta dërgojnë në gjykatë.

"Kërkesat e tyre janë t'i drejtohemi gjykatës dhe gjykata ta thotë fjalën e vetë, ose kërkuan të mbyllen të gjitha pikat e karburantit. Ne po mundohemi t'i ikim kësaj mirëpo, sipas të gjitha gjasave, do të vjen deri te ajo punë", deklaroi  Berjani.

Sipas vendimit të marrë nga ministrja Rozeta Hajdari, marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me shumicë është dy 2 centë për litër, kurse marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me pakicë është 12 centë për litër.

“Ky vendim është marrë me qëllim të mbrojtjes së konsumatorit dhe konkurrencës në treg, pasi pas monitorimeve të inspektorëve në treg kanë evidentuar mospërshtatje të çmimeve vendore me lëvizjet në tregun botëror të naftës”, thuhet në njoftimin e MINT-it.

Çmimi i benzinës në treg po sillet nga 1.30 centë, ndërsa nafta sillet nga 1.40 deri 1.45 cent.


MË SHUME NGA Ekonomi