Mjekët italianë dhe ata të KFOR-it ndihmojnë pacientët kosovarë
Një projekt i financuar nga shoqatat italiane dhe paqeruajtësit ndërkombëtarë të KFOR-it tashmë është në fazën përmbyllëse. Projekti i mbështetur nga Shoqata "Nicola Ciardelli" nga Spitali i Pizës, ka ndihmuar Klinikën e Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për rritjen e kapaciteteve për trajtimin e pacientëve që vuajnë nga tumoret malinje.
Shoqata e themeluar në kujtim të "Nicola Ciardelli" deri më tani ka ndihmuar rreth 700 pacientë të rinj të regjistruar në repartin e onko-hematologjisë pediatrike në Spitalin e Prishtinës, thuhet në një njoftim të lëshuar nga KFOR-i.
Kjo është mundësuar pa pagesë edhe për prindërit e fëmijëve të shtruar në spital, të cilët sipas njoftimit, nuk kishin mundësi t'i përballonin udhëtimet e shumta për trajtime onkologjike.
Ndryshe, edhe mjekët dhe personeli mjekësor i KFOR-it kanë mbikëqyrur të gjitha fazat e operacionit, nga ajo përgatitore deri në atë postoperative. Gjatë operacionit në sallë ishte i pranishëm kapiteni mjekësor i ushtrisë italiane Davide Telesco.
“Si pjesëtar i KFOR-it, roli im ishte të mbikëqyrja operacionin, si kirurg i përgjithshëm dhe të jem një pikë kontakti për bashkëpunim ndërmjet kosovarëve dhe italianëve. Detyra jonë është gjithashtu të rrisim besimin e popullatës në institucionet vendore shëndetësore, të cilat kanë staf të trajnuar dhe të motivuar dhe me entuziazëm ofrojnë profesionalizmin e tyre për të mirën e të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë”, deklaroi Telesco.
Këtë mision humanitar e ka përshëndetur edhe komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia. “Ky moment historik paraqet një nisje të re, për t'i mundësuar Kosovës që të ofrojë kujdes të avancuar për fëmijët që vuajnë nga këto sëmundje të tmerrshme”, tha komandanti i paqeruajtësve ndërkombëtarë.
























