Haxhiu pyet Vitinë nëse do ta braktisë sërish postin e ministrit
J.Musliu/RTKlive
Në mbledhjen e Komisionit për Shëndetësi, e ku raportonte ministri Arben Vitia, deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, i parashtoi shumë pyetje të parit të shëndetësisë në vend.
Ndër të tjera, Haxhiu pyeti ministrin se me çfarë note e ka vlerësuar bordin e Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar. “Onkologjia edhe sot është pa udhëheqës. Kemi lista të gjata të pritjes, mjekë e profesionistë shëndetësorë po ikin nga institucioni publik”, deklaroi Haxhiu.
Madje ai pretendoi se ministri po përdorë Ministrinë e Shëndetësisë si trampolinë për të kërcyer nga një pozitë në tjetrën. Ai pyeti Vitinë nëse do t’i braktisë pacientët për të kandiduar për kryetar të komunës.
Por ndaj këtij konstatimi, reagoi Vitia duke thënë se nuk do të kandidojë në nivelin lokal.
E deputeti Shemsedin Dreshaj nga AAK, anëtar i komisionit tha se shëndetësia nuk ka qenë kurrë më keq duke përmendur disa probleme të këtij sektori.
Ministri Vitia tha se është dakord me shumicën e problemeve të përmendura nga Dreshaj, mirëpo shtoi se- “nuk mund të hyjmë në histori”. Ai tha se detyrën e tij e ka pranuar me përgjegjësi të plotë.
Sidoqoftë më vonë, deputeti Haxhiu, publikoi në llogarinë e tij në Facebook, pyetjet që ia ka drejtuar ministrit të shëndetësisë.
“Z. Vitia, a do t’i braktisesh sërish pacientët dhe stafin mjekësor për të kandiduar për kryetar të Komunës së Prishtinës?”, shkruan Haxhiu në llogarinë e tij në Facebook, njërën nga shumë pyetjet e parashtruara për ministrin Vitia.























