Dogana e Kosovës rrit numrin e operatorëve të autorizuar ekonomikë
M.Miftari/RTKlive
Dogana e Kosovës avancon më tej me lehtësira tregtare, duke rritur numrin e operatoreve të autorizuar ekonomik ( OAE).
Përmes një komunikate për medie, Dogana e Kosovës bën të ditur se pas përmbushjes së kritereve të parapara ligjore, drejtori i përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, me bashkëpunëtorë ka ndarë certifikatën e radhës për operatorët e autorizuar ekonomikë për kompaninë kosovare “Albi Commerce” SH.p.k. – Prishtinë /OAE 008.
Tutje njoftohet se kjo kompani merret me importin dhe distribuimin e produkteve ndërkombëtare në vendin tonë, ku me këtë rast, kompania i ka përmbushur standardet më të larta qe te përfitojë nga thjeshtëzimet e ndryshme të parashikuara nga legjislacioni doganor (OAE-D); në kuadër të këtij programi dhe konsiderohet si një partner i besueshëm ne procedura doganore.
“Dogana e Kosovës është e përkushtuar qe t’ju krijoj lehtësira në procedurë subjekteve të tilla që plotësojnë kriteret e parapara me dispozitat ligjore ne fuqi”, thuhet në komunikatë.
Veç tjerash, në komunikatë sqarohet se OAE mund të përkufizohet si një operator ekonomik, i cili konsiderohet i besueshëm, në kontekstin e procedurave doganore të tij dhe për këtë arsye ka të drejtë të gëzojë përfitime të caktuara në të gjithë Kosovën.
“Programi OAE është i hapur për të gjithë operatorët ekonomikë, duke përfshirë ndërmarrjet e vogla , të mesme dhe ndërmarrjet e mëdha dhe pa marrë parasysh rolin e tyre në zinxhirin ndërkombëtar të furnizimit”, thuhet në fund të komunikatës.
























