MPB: Pagat janë ekzekutuar sot, shtesat i marrin në muajin mars
M.Shefkiu/RTKlive
Ministria e Financave dhe Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë të gjithë zyrtarët publikë të Republikës së Kosovës, se sot disbursohen pagat e para sipas Ligjit për Paga në Sektorin Publik Nr. 08/L-196, i cili ka hyrë në fuqi me datën 5 shkurt 2023, por pa shtesat e këtij muaji. Sipas MPB-së, shtesat e muajit shkurt, do marrin në muajin mars në mënyrë retroaktive.
Sipas MPB-së, komisionet për përcaktimin e shtesave të parapara me këtë ligj dhe aktet nënligjore që derivojnë prej tij, tashmë janë themeluar dhe janë duke mbledhur të dhënat nga institucionet përkatëse lidhur me zyrtarët që mund të përfitojnë këto shtesa, përfshirë këtu sipas MPB-së, edhe komisionet për shtesën për kushte specifike të punës, shtesën për kushte tregu dhe shtesën për ekspertët.
“Përkundër punës intensive të komisioneve për përcaktim të shtesave, procesi i mbledhjes së të dhënave dhe finalizimit të listave është duke vazhduar, andaj njoftojmë të gjithë zyrtarët publikë se shtesat e sipërpërmendura për muajin shkurt do të paguhen në mënyrë retroaktive në pagën e muajit mars” thuhet në njoftimin e MPB-së.
Pra, me përfundimin e mbledhjes së të dhënave nga ana e komisioneve dhe finalizimit të listave me zyrtarët që do të përfitojnë këto shtesa, të njëjtët sipas MPB-së, do t’i marrin bashkë me pagën dhe shtesën e muajit mars edhe shtesën përkatëse për muajin shkurt.
“Ftojmë të gjitha institucionet që të dërgojnë të dhënat e kërkuara nga komisionet përkatëse pa vonesë, në mënyrë që procesi të përmbyllet sa më parë”, thuhet në komunikatën për media lëshuar nga MPB.























