Zyrtarizohet bashkëpunimi i ME-së me Shoqatën e Inxhinierëve të Zvicrës
RTKlive
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi me Shoqatën e Inxhinierëve të Zvicrës (AES) në fushat e energjisë së ripërtërishme, trajnimit e aftësimit profesional dual, minierave, riciklimit të mbeturinave, infrastrukturës energjetike si dhe transportit hekurudhor.
Ky bashkëpunim ka filluar në fillim të vitit gjatë vizitës së përbashkët të ministres Rizvanolli me kryeministrin Albin Kurti në Zvicër, ku janë takuar edhe me Shoqatën e Inxhinierëve, njofton Ministra e Ekonomisë.
Sipas njoftimit, me përfaqësuesit e Shoqatës të Inxhinierëve të Zvicrës (AES) kanë marrë pjesë edhe zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku, përfaqësues të Kabinetit të Ministres dhe ME-së, zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, përfaqësues të kabineteve të ministrave Nagavci e Aliu, si dhe përfaqësues të menaxhmentit të lartë të Trepçës, Infrakosit, Trainkosit e Shërbimit Gjeologjik të Kosovës.
Shoqata e Inxhinierëve të Zvicrës gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë do t’i vizitojë të tri këto ndërmarrje për të parë nga afër punën e sfidat e tyre.
Sipas njoftimit të ME-së, përfaqësuesit e Shoqatës së Inxhinierëve kanë falënderuar ministren që për herë të parë u është dhënë mundësia të japin kontributin e tyre profesional në Kosovë.
Ministrja Rizvanolli, ndërkaq i ka falënderuar për dedikimin e gatishmërinë e tyre për të shtyrë para zhvillimin ekonomik të vendit, si dhe ka shtuar që është plotësisht e bindur që rezultatet e prekshme nga ky bashkëpunim do t’i shohim shumë shpejt.