Kurtishaj: Qeveria të fokusohet më shumë tek sektori privat dhe turizmi
Ekonomi

Kurtishaj: Qeveria të fokusohet më shumë tek sektori privat dhe turizmi

RTKlive

Tri vitet e fundit ekonomia ka qenë përballë disa sfidave të ndryshme të cilat kanë bërë që të ketë probleme në zhvillimin dhe funksionimin në përgjithësi të jetës.

Dy problemet, njëra që ishte pandemia, që goditi rëndë botën, krahas miliona jete që u mori njerëzëve goditi rëndë edhe ekonominë.

Së fundi është agresioni rus ndaj Ukrainës, krijoi probleme ekonomike në shumë vende duke rritur edhe çmimet e shumë produkteve bazë, por edhe një goditje ndaj turizmit.

Ruzhdi Kurtishaj, kryetar i Shoqatës së Turizmit të Kosovës në Odën Ekonomike të Kosovës (OEK), tha se pandemia Covid19 dhe lufta e Ukrainës janë dy goditje edhe për Kosovën, sa i përket ekonomisë dhe çmimeve.

“Pas pandemisë Covid 19, goditje e dytë që u ka ardhur sektorit privat, por edhe qytetarëve të Kosovës, është lufta në Ukrainë, kjo ka ndikuar shumë edhe për shkak të ekonomisë sonë të brishtë”, tha ai për emisionin 'Ekonomiks' të RTK-së.

Sipas tij ndryshimet e mëdha globale, ndryshimet e çmimeve, furnizimi i mangët, rritja e çmimeve të artikujve që lidhet me transportin e turizmit për shkak të rritjes së çmimeve të derivateve të naftës, kanë dëmtuar shumë sektorin e turizmit. Sipas tij qytetarët kanë ndryshuar edhe qasje për shkak të shpenzimeve për turizëm.

“Dëmet janë shumë të mëdha, për aq sa mbaj mend unë, bizneset nuk kanë pasur asnjëherë krizë më të madhe se këto tri vite”, tha Kurtishaj.

Ai ka përmendur rastet kur shumë shtete kanë ndërhyrë në politika të ndryshme për të mbështetur bizneset vendore. “Ka pasur ndërhyrje direkt në TVSH, ka ndërhyrë me çmime tavan, etj”, tha ai.

I pari i shoqatës së Turizmit, kërkoi bashkëpunim dhe përkrahje nga qeveria e Kosovës për të ecur përpara.

Ai ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të fokusohet më shumë tek sektori privat dhe turizmi, për shkak se është njëri ndër sektorët që punëson mijëra njerëz.ë në Kosovë.

“Sektori i turizmit në vend është njëri ndër sektorët që punëson mijëra qytetarë. Ne jemi zingjir, nëse kemi zhvillim të turizmit, atëherë do të kemi edhe në fusha të tjera. Turizmi është fushë shumë e gjerë”, tha Kurtishaj.


MË SHUME NGA Ekonomi