Thesari i Kosovës pranon 67.5 milionë euro të BE-së nga IPA3
Foto: Arkiv
Ekonomi

Thesari i Kosovës pranon 67.5 milionë euro të BE-së nga IPA3

M.Sh/RTKlive

(E plotësuar) Pas njoftimit se BE ka ndarë këstin e parë të IPA3 për Kosovën ka reaguar edhe Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve e cila njofton se Thesari i Kosovës tashmë ka pranuar tranzhin e parë prej 67.5 milionë euro, nga 75 milionë sa është mbështetja totale ndaj krizës energjetike.

“Këto fonde do të përdoren për zbatimin e masave mbështetëse për energji, të cilat përfshijnë mbështetjen ndaj familjeve më në nevojë, nxitjen e kursimit për konsumatorët familjar, mbështetjen për energji efiçiente për banesa e shtëpi, mbështetjen për blerjen e paisjeve shtëpiake efiçiente, si dhe nxitjen e kursimit nga ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme”, njofton Ministra e Financave.

Mbështetja nga Bashkimi Evropian, sipas këtij dikasteri, kanalizohet përmes programit IPA 2023 për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë, program i cili këtë vit është dedikuar në plotëni për financim në fushën e energjisë.

“Gjatë vitit 2022 mbështetja nga Qeveria në tejkalimin e krizës energjetike ka kaluar vlerën mbi 80 milionë euro. Me disbursimin e tranzhit të parë nga BE, do të i hapet rrugë vazhdimësisë së mbështetjes ndaj qytetarëve. Tranzhi i dytë në vlerë prej 7.5 milionë euro do të disbursohet në vitin 2024”, njofton Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.

IPA 2023: Ndahet kësti i parë për Kosovën në vlerë 67.5 milionë euro

Komisioni Evropian, në kuadër të programit vjetor IPA 2023, ka ndarë këstin e parë prej 67.5 milionë eurove në përkrahjes buxhetore për Kosovën. Mbështetja e BE-së, sipas njoftimit për media, e plotëson skemën e Qeverisë për mbështetje të energjisë.

Sipas njoftimit, kjo mbështetje do të fillojë menjëherë me zbatimin e këtyre masave: Mbështetje e drejtpërdrejtë financiare për familjet më të cenueshme dhe më të pafavorizuara; Stimulimi i kursimeve të energjisë nga konsumatorët familjarë; Mbështetja e konsumatorëve individualë familjarë duke përfshirë konsumatorët e cenueshëm përmes rritjes së efiçiencës energjetike të njësive të banimit dhe ndërtesave; Mbështetja e konsumatorëve shtëpiak duke përfshirë konsumatorët e cenueshëm në investimin në pajisje shtëpiake me efiçiencë energjetike dhe sisteme të energjisë së ripërtërishme; Stimulimi i kursimeve të energjisë nga ndërmarrjet mikro të vogla dhe të mesme.

“Qeveria e Republikës së Kosovës do të vijojë të mbështesë qytetarët dhe të lehtësojë pasojat sociale dhe ekonomike për kategoritë më të prekura nga efektet e krizave të shkaktuara nga lufta në Ukrainë, përmes dhe një politike të qëndrueshme dhe të besueshme në menaxhimin e financave publike”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, ky është kësti i parë i parave që Kosova i merr nga pakoja e BE-së për mbështetjen për energji për Ballkanin Perëndimor.

“Pakoja është krijuar nga BE-ja dhe shtetet anëtare të saj për t’i ndihmuar rajonit që ta kapërcejë krizën energjetike dhe rritjen e madhe të çmimeve të energjisë që i ka shkaktuar agresioni i pajustifikuar i Rusisë ndaj Ukrainës”, thuhet në njoftimin e qeverisë.


MË SHUME NGA Ekonomi