ZRrE arsyeton rritjen e çmimit të rrymës
Arbresha A.Berisha/RTK
Kryetari i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Ymer Fejzullahu, deklaroi se në mbledhjen e ardhshme, do të vendoset në lidhje me rritjen deri në rreth 15% të tarifave të energjisë elektrike.
Në një konferencë për media të mbajtur të enjten në Prishtinë, Fejzullahu u shpreh se në kërkesën për rritjen e tarifave të energjisë ka ndikuar edhe inflacioni.
“Rritja pritet të shpërndahet te të gjitha kategoritë e konsumatorëve”, tha ai. “Pra çmimet do te rriten në mënyrë lineare për të gjithë”.
Ai tha se niveli i inflacionit ka ndikuar në këtë rritje. “Nevojat për të hyra shtesë në raport me tarifat ekzistuese janë rreth 50 milionë euro”, tha ai.
Fejzullahu deklaroi se për rritjen e çmimit të energjisë, kanë marrë parasysh edhe komentet e bëra nga institucionet.
Ndërkohë, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive ka kërkuar që në mënyrë të organizuar të kundërshtohet shtrenjtimi i rrymës.
KMLDNJ tha se Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj ka deklaruar se vazhdimi i pagesës së energjisë elektrike për serbët dhe të tjerët në Veri të Kosovës është në kundërshtim me ligjin dhe se cenon parimin kushtetues për barazinë e të gjithë qytetarëve.