Shahini: Rritja e tarifës së energjisë e dëmshme edhe për bizneset
Albulena Bytyçi/Radio Kosova
Nga 1 prilli i këtij viti në Kosovë do të ngritët për rreth 15 për qind tarifa e energjisë elektrike. Këtë e ka miratuar Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.
Paralajmërimet për shtrenjtim të rrymës ndikojnë në dëmtim të bizneseve dhe e varfërojnë edhe më tej xhepin e qytetarëve, vlerësojnë njohës të ekonomisë.
Zyra e Rregullatorit të Energjisë, të enjten ka konfirmuar se tarifat e energjisë elektrike do të rriten për rreth 15 për qind, duke filluar nga data 1 prill.
Kryetari i Bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu, në një konferencë për media theksoi se vlera e saktë e rritjes do dihet pas aplikimit të palëve për tarifa, në këtë rast të KOSTT,KEDS dhe KESCO-s.
Disa qytetarë të intervistuar nga Radio Kosova thonë se kjo edhe më tutje i varfëron xhepat e tyre.
“Kjo nuk është në rregull, se kjo situatë është problem për qytetarë. Kjo skamje ndaj qytetarëve, duhet ta mendojë qeveria, kjo është shumë gabim”, vlerësojnë qytetarët.
Kjo do të jetë e dëmshme edhe për bizneset, duke e rënduar standardin e tyre ekonomik. Përfaqësuesi i tyre kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, tha për Radio Kosovën se kjo rritje, nuk do të jetë e mirëpritur për bizneset.
“Do të shtrenjtohet edhe më shumë shporta e qytetarit. Edhe ashtu me ‘Ligjin për Paga’ ka shumë pakënaqësi, ndryshime nuk është as në sektorin privat, se nuk ka ndonjë lëvizje të madhe, kjo do të rëndojë më shumë jetën, ekonominë dhe bizneset”, u shpreh Shahini.
Tarifat e reja do të hynë në fuqi më 1 prill 2023 dhe do të jenë në fuqi deri më 31 mars 2024.
Në shtatorin e vitit të kaluar Qeveria e Kosovës kishte shpalosur pakon e re ekonomike prej 150 milionë eurosh që do t’u vinte në ndihmë qytetarëve në përballje me inflacionin dhe çmimet e larta të energjisë.
Qeveria madje kishte inkurajuar qytetarët që ta kursejnë energjinë elektrike, në mënyrë që ata të përfitonin deri në dyfish subvencionimin e faturës së energjisë nëse ata do të harxhonin më pak energji në krahasim me vitin 2021.