Oda Amerikane përshëndet marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë
M.Sh/RTKlive
Oda Ekonomike Amerikane e ka përshëndet marrëveshjen e arritur së fundmi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Ohër, për normalizimin e marrëdhënieve. Ky komunitet i biznesit beson se kjo marrëveshje do t’i hapë mundësitë e zhvillimit ekonomik për të dyja shtetet, duke përmirësuar shkëmbimin e mallrave dhe shërbimeve.
“Derisa të dyja shtetet konfirmojnë obligimin e tyre për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të shkuara, Oda Amerikane përsërit thirrjen e saj për Qeverinë e Kosovës që t’i bashkohet iniciativës së Shqipërisë, Maqedonisë Veriore dhe Serbisë për treg të përbashkët rajonal, të sipas dakordimit të bërë në Uashington më 4 shtator 2020”, thuhet në reagimin e OEAK-së.
Oda Amerikane, po ashtu u bënë thirrje të dyja shteteve që të respektojnë zotimet e dhëna më parë për investime në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore.
“Zhvillimi i infrastrukturës së transportit, së bashku me njohjen reciproke të diplomave universitare dhe certifikimeve profesionale do të mundësojnë lirinë e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave, si edhe lirinë e ofrimit të shërbimeve, duke përmirësuar në këtë mënyrë mobilitetin e bizneseve dhe profesionistëve brenda hapësirës së Ballkanit të Hapur”, thuhet në reagimin e OEAK-së.
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë thotë se duke kuptuar rëndësinë që marrëveshja për Kosovën, Serbinë dhe rajonin më të gjerë të Ballkanit Perëndimor, do të përkrahë përpjekjet e mëtejme për normalizim ekonomik, “duke avokuar pranë qeverive për heqjen e barrierave ekzistuese, si dhe do të ofrojë mundësi rrjetëzimi për bizneset në tërë rajonin”.