S’ka rreziqe financiare, bankat komerciale në Kosovë të sigurta
Majlinda Doda/Radio Kosova
Bankat komerciale të Kosovës nuk janë të ekspozuara në asnjë formë ndaj rreziqeve që janë shfaqur kohëve të fundit në tregjet financiare ndërkombëtare. Kështu të paktën thonë nga Shoqata e Bankave të Kosovës. Të pyetur nga Radio Kosova, Banka Qendrore e Kosovës ka heshtur për këtë çështje, përderisa ekspertë të ekonomisë bëjnë thirrje për kujdes të shtuar.
Sistemi bankar po kalon në një krizë ekonomiko-bankare, por kjo nuk shihet problematike për sistemin bankar në Kosovë. Në një përgjigje elektronike për Radio Kosovën, Shoqata e Bankave të Kosovës ka vlerësuar se bankat komerciale të Kosovës nuk janë të ekspozuara në asnjë formë ndaj rreziqeve që janë shfaqur kohëve të fundit në tregjet financiare ndërkombëtare dhe mjetet e qytetarëve të Kosovës janë plotësisht të sigurta.
Kryeshefi ekzekutiv, Petrit Balija, ka thënë se sektori bankar në Kosovë ka dëshmuar që është i mbrojtur nga rreziqet e tregjeve të jashtme në të gjitha krizat globale, si ajo e vitit 2008, kriza e pandemisë, apo edhe lëkundja aktuale e disa tregjeve ndërkombëtare, duke mos pasur asnjë ndikim negativ në bankat komerciale në Kosovë. Bankat që veprojnë në Kosovë janë banka që kanë për objektiv vetëm zhvillimin ekonomik brenda në Kosovë prandaj edhe nuk varen nga tregjet e huaja, thuhet në përgjigjen elektronike të kryeshefit Petrit Balija.
Radio Kosova ka pyetur Bankën Qendrore të Kosovës se a është i sigurt sistemi bankar në Kosovë nga rrezikshmëria në tregjet globale, por të njëjtit, nuk kanë kthyer përgjigje.
E eksperti i çështjeve ekonomike, Emanul Bajra, duke folur për Radio Kosovën vlerëson se ka shumë aspekte të rrezikshmërisë që mund të shfaqen, e që është ajo e likuiditetit.
“E para është linja kreditore, pra, me kalimin e kohës konsumatorët tanë, klientët e bankave të ndryshme komerciale, do ta ndiejnë shtrenjtimin që do të shkaktojë kjo masë e mungesës së likuiditetit në tregjet globale. Pra nëse deri në fundvit dikush ka pasur një kredi prej 8 mijë eurosh dhe interesin e ka pasur 4 deri në 5 për qind, gjasat janë që ajo të shkojë deri në 7 për qind e më tej. E dyta është konfidenca në masën e likuiditetit ose kapitali që këto banka në Kosovë do ta kenë për shkak se pjesa më e madhe e kapitalit bankar në Kosovë e ka origjinën e jashtëm, p.sh: kemi banka turke, austriake, gjermane, të Shqipërisë, dhe kjo është një rrezikshmëri për sistemin e stabilitetit financiar gjithandej Kosovës, pa pasur nevojë që të rritet niveli i panikut por duhet të jemi të vëmendshëm”, deklaroi Bajra.
Bajra thotë se është shqetësuese qetësia e BQK-së në këtë drejtim, përderisa thekson se mbikëqyrja rigoroze e gjithë sistemit bankar, duke filluar nga rivlerësimi i gjithë marrësve të kredisë në Kosovë, dhe një partneritet shumë më i afërt me bankat komerciale, do të ishin masat urgjente që BQK duhet t’i ndërmarrë në këtë situatë.