Përfitimet ekonomike nga marrëveshja e Ohrit|Video
BKT
Ekonomi

Përfitimet ekonomike nga marrëveshja e Ohrit|Video

Edina Avdiu/ RTK

Në kuadër të dakordimit të arritur në Ohër, në këmbim të zbatimit të obligimeve të marra, Kosovës dhe Serbisë u janë premtuar përfitime ekonomike, të cilat BE synon t`i ofrojë përmes një pakoje të investimeve nga organizimi i një konference donatorësh brenda 150 ditësh.

Nga njohës të ekonomisë kjo pikë po shihet si shumë e rëndësishme në ndikimin që mund të ketë në mënyrë të drejtpërdrejtë në ekonominë e vendit.
Marrëveshja e arritur në Ohër mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq, e pranuar nga të dyja palët së bashku me planin e zbatimit, parasheh edhe përfitime ekonomike.
Në aneksin e publikuar nga Bashkimi Evropian, mes tjerash, thuhet se për ta implementuar nenin 9, BE-ja do të organizojë konferencë të donatorëve brenda 150 ditësh, për të krijuar një paketë të investimeve dhe financiare për Kosovën dhe Serbinë.
Njohës të ekonomisë thonë se në rast se Kosova do të përfitojë investime si rezultat i implementimit të të gjitha pikave të marrëveshjes, ato do të ndikonin edhe në uljen e papunësisë në vend.
 Emrush Ujkani, drejtor i Këshillit të Investitorëve Evropianë
“Kemi një infrastrukturë të mirë ligjore që ishte dashur të ua mundësojë përshtatjen e lehtë të investimeve në sektorët më strategjik. Natyrisht energjia është një prej tyre, pastaj sektori i IT shumë i rëndësishëm, edukimi”, tha Emrush Ujkani, drejtor i Këshillit të Investitorëve Evropianë.
Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike
“E mira kish me qenë që të orientohen në procesin e prodhimit, aty duhet të jetë qëllimi strategjik I yni, për arsye se ne kemi pasur investime nga jashtë mirëpo shumica e vlerës absolute kanë shku në patundshmëri, që kanë qenë nga diaspora jonë. Qëllimi tani është që të koncentrohemi në projekte konkrete të zhvillimit ekonomik, sidomos në prodhi ku kish me ndiku edhe në ulje të papunësisë”, deklaroi Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike.
Edhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë beson fuqishëm se marrëveshja do të hapë mundësitë e zhvillimit ekonomik për të dyja shtetet, duke përmirësuar shkëmbimin e mallrave dhe shërbimeve.
Përmes një komunikate, nga kjo Odë kanë ofruar përkrahje për përpjekjet e mëtejme për normalizim ekonomik, duke kuptuar rëndësinë që marrëveshja do të ketë për Kosovën, Serbinë dhe rajonin më të gjerë të Ballkanit perëndimor.


MË SHUME NGA Ekonomi