Procesi i zgjedhjes së guvernatorit të kthehet në pikën zero
BKT
Foto arkiv/ RTKlive
Ekonomi

Procesi i zgjedhjes së guvernatorit të kthehet në pikën zero

RTKlive

(E plotësuar) Komisioni për Buxhet pa prezencën e anëtarëve nga opozita ka rekomanduar që të kthehet në pikën zero procesi i përzgjedhjes së guvernatorit.

Komisioni për Buxhet i ka rekomanduar kryetarit të Kuvendit që të kthehet në pikën zero procesi për përzgjedhjen e guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës.

Kryetari i Komisionit, Armend Muja, ka njoftuar se lista me kandidatët e propozuar nuk i përmbush kriteret ligjore.

“Komisioni vlerëson se lista me kandidatët e propozuar nuk i përmbush kriteret ligjore. Atëherë bazuar në nenin 110, paragrafi 4 të rregullores së kuvendit në rastin kur kandidaturat nuk përmbush kushtet sipas ligjit, komisioni kërkon nga kryetari i Kuvendit ta njoftojë komisionin propozues për mos përmbushjen e kushteve”, ka thënë Muja.

Në vijim Komisioni shqyrtoi Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë dhe projektit ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, KOSTT (Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu sh. a.) dhe KFW, Frankfurt Am Main (“KFW”) për Projektin “Zhvillimi i sektorit të energjisë VII – përmirësimi i rrjetit të transmetimit.

Këtë Projektligj e prezantoi ministri i Financave, Hekuran Murati. Projektligji mori mbështetjen e anëtarëve të Komisionit.

Komisioni gjithashtu shqyrtoi Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin “Ngrohtorja solare e Prishtinës”, projektligj ky i cili u mbështet nga të gjithë anëtarët e komisionit, të pranishëm në mbledhje.

Sot shqyrtohen propozimet për guvernator të BQK-së

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere sot mban mbledhje.

Në këtë mbledhje do të bëhet shqyrtimi i Propozimeve për Guvernator të Bankës Qendrore.Katër kandidatë kanë mbetur në garë për guvernator të Bankës Qendrore të Kosovës.Lista me katër emra i është dërguar Kuvendit të Kosovës. Kandidatët që kanë mbetur në garë janë: Ahmet Ismajli, Lulzim Ismajli, Nexhat Kryeziu dhe Shkëndije Himaj.

Në këtë mbledhje në rend dite janë edhe disa pika të tjera: si Miratimi i planit të performacës të Organit Shqyrtues të Prokurimit për vitin 2023, shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë dhe projektit ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, KOSTT (Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu sh. a.) dhe KFË, Frankfurt Am Main (“KFW”) për Projektin “Zhvillimi i sektorit të energjisë VII – përmirësimi i rrjetit të transmetimit dhe shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin “Ngrohtorja solare e Prishtinës’.


MË SHUME NGA Ekonomi