Përplasje në Kuvend pozitë-opozitë për arrestimin e drejtorit të KEK-ut
RTKlive
Arrestimi i drejtorit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, ka përplasur pozitën dhe opozitën gjatë punimeve të seancës plenare.
Derisa kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca tha se për çfarëdo rasti që ka fakte dhe argumente, drejtësia duhet të veprojë, në anën tjetër kryeministri Albin Kurti tha se arrestimi i Krasniqit e ka gëzuar opozitën, por sipas tij, kjo nuk përbën fakt të kësaj çështjeje.
Ai ka akuzuar Prokurorinë se nuk i ka hetuar keqpërdorimet, që sipas tij, janë bërë në të kaluarën në KEK.
Ndërkaq, opozita i ka cilësuar deklarimet e Kurtit si sulm mbi sistemin e drejtësisë. Ata kërkuan shkarkimin e kryeshefit të KEK-ut .
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, kërkoi nga ministrja e Ekonomisë t’i njoftojë deputetët se për çfarë vlerash financiare dyshohet që ka abuzuar drejtori i KEK-ut.
Kurse Hykmete Bajrami, deputete nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), tha se skandali i Nagip Krasniqit e bën përgjegjëse drejtpërdrejt Qeverinë. “Për shkak se Nagip Krasniqi është eksponent i Lëvizjes Vetëvendosje, është personi që e ka shkruar programin për energji për këtë parti, si kryesues i Komisionit për energjinë për Lëvizjen Vetëvendosje, ai e ka draftuar Strategjinë e Energjisë. Ai ka bërë qe 15 muaj, të merren vendime në këtë Kuvend, të jemi në masa emergjente në mënyrë që të importojë energji dhe të bëhen tenderë të negociuar”, theksoi ajo.
Ndërkaq kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, kërkoi nga Qeveria që të ndërmarrë masa ndaj Nagip Krasniqit.
“Kur dikush prej jush nuk ec si duhet, duhet t’ia tregoni vendin. Nuk besoj që është besnikëri të marrësh vendime të gabuara kundër interesit të vendit. E lus kryeministrin ta marrë anën e ligjit dhe drejtësisë”, tha ai.























