Tatimi në pronë, Ibrahimi: Kërkojmë drejtësi ndaj nivelit lokal
M.Miftari/RTKlive
Komunat e Kosovës po kërkojnë nga Komisioni Parlamentar për Buxhet e Financa të Kuvendit të Kosovës rimbursimin e mjeteve nga niveli qendror për faljen e 100 eurove për tatimin në pronë i qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Për implikimet që do t’i ketë ky ligj në buxhetet komunale, drejtor ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, tha se vendimi i qeverisë së Kosovës që komunat të marrin vendimet në kohë që tatimpaguesit t’i lirojnë me 100 euro, në tatimin në pronë, kjo do të ketë impakt të jashtëzakonshëm në buxhetet komunale, ku dëmet buxhetore do të jenë diku me dhjetëra miliona euro.
Sipas Ibrahimit më së shumti do të preken komunat e mëdha.
“Pra nëse pushteti qendror mendon se komunat duhet t’i lirojnë qytetarët nga pagesa e parë për tatimin në pronë me nga 100 euro, atëherë duhet të rimbursohen”, theksoi Ibrahimi.
Ai më tej shtoi se Asociacioni i Komunave kërkon që çdo gjë të jetë si më 2022, gjë që nuk ka ndodhur nga niveli i pushteti qendror, e që ka proceduar pa konsultim me komunat plotësim- ndryshimin e ligjit për tatimin në pronë, ku theksohet se komunat duhet të marrin një vendim të tillë.
“Nëse pushteti qendror mendon se është mirë që kuvendet komunale të marrin një vendim të tillë atëherë duhet bërë analizat se sa do të dëmtohet buxheti i komunave”, vuri në dukje Ibrahimi në Info Plus,në RTK.
Ai më tutje sqaroi se të hyrat vetanake në buxhetin e komunave do të zvogëlohet me 40%, që do të duhej të plotësohej nga niveli qendror.
Ibrahimi mes tjerash vuri në dukje se lidhur me këtë çështje nuk është takuar me ministrin Murati, por që, sikundër bëri të ditur ai, Asociacioni i Komunave i është drejtuar Komisionit përkatës për ta shqyrtuar këtë problem dhe shprehu gatishmërinë që të ketë takime për të gjetur një zgjidhje të situatës në të cilën ndodhen komunat tani.























