Arritja e një marrëveshjeje Kosovë-Serbi i hap rrugë zhvillimit ekonomik
Majlinda Doda /Radio Kosova
Arritja e një marrëveshjeje Kosovë-Serbi do t’i hapte rrugë zhvillimit ekonomik të Kosovës. Kështu vlerësojnë njohës të ekonomisë, duke thënë se pavarësisht marrëveshjeve politike, marrëveshjet ekonomike dhe shkëmbimet tregtare kanë lëvizur.
Emëruesi i përbashkët i të gjitha zgjidhjeve të probleme në Kosovës, është stabiliteti politik, por kjo nuk mund të arrihet derisa kemi një dialog ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të papërfunduar. Sa më shpejt që zgjidhet një problem i tillë, hapen rrugë për zhvillim ekonomik. Kështu thotë për Radio Kosovën njohësi i ekonomisë, Safet Gërxheliu.
“Hapet një perspektiv e re për zhvillim ekonomik, për eliminim të shumë barrierave ekonomike të cilat po e dëmtojnë Kosovën. Ka pasur iniciativa të shumta rajonale që kanë pasur qëllim përafrimin e interesave ekonomike e shumë prej tyre kanë dështuar, dhe është koha që Kosova duhet të lirohet përfundimisht nga Serbia dhe kjo arrihet përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse”, tha Gërxheliu.
Ndërkohë, përfaqësuesi i bizneseve në Kosovë, nga Aleanca Kosovare e Bizneseve, Agim Shahini, duke folur për Radio Kosovën thotë se bizneset tregtare ndërmjet dy shteteve nuk kanë munguar, përkundër çështjes politike. Ai thotë se nga Serbia, Kosova ka importuar në vitin e kaluar rreth 372 milionë euro, përderisa ka eksportuar në Serbi rreth 60 milionë euro.
“Kjo tregon se bizneset po lëvizin ndërmjet vete e tashmë kur ekziston në parim një marrëveshje, atëherë kjo mund të ketë ndikim edhe më pozitiv, tash Serbia do të duhej të pranojë gjithë dokumentacionin e Kosovës sepse kjo lejon më shumë mundësi për importe dhe eksporte, edhe pse Kosova është e dobët në krahasim me Serbinë për sa i përket prodhimeve dhe tregjeve”, tha Shahini.
Ekonomistët vlerësojnë se e kundërta e dialogut nuk do t’i konvenonte askujt dhe zgjidhja e këtyre problemeve duhet të bëhet në interes të shtetit dhe të ekonomisë, sepse siç thonë ata, nga mungesa e stabilitetit politike në Kosovë, mungojnë investitorët e huaj.























