Jaço: Investimet amerikane në Shqipëri, rritje me 250%
atsh
Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaço në takimin e zhvilluar në Asamblenë e Dhomës Amerikane të Tregtisë, tha se, dy vitet e fundit investimet amerikanë në Shqipëri janë rritur me 250%.
Ai tha se, Shqipëria duhet të ofrojë një mjedis tërheqës për të siguruar investitorë strategjikë!
“Çështja sot është qëndrueshmëria, pra si t’i bëjmë këta investitorë të qëndrojnë për një afat të gjatë kohor. Për ta arritur këtë, ne kemi nevojë për një klimë konkurruese biznesi dhe investimesh. Faktorë të tillë si lehtësia e lejeve, niveli i korrupsionit, a kanë investitorët shanse për të hyrë në prokurimet publike, a janë stimujt e investimeve konkurruese , janë çështje reale që përcaktojnë klimën e investimeve. Ne duhet të ofrojmë një mjedis tërheqës për të siguruar investitorë strategjikë”, tha Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë.
Duke folur për investimet amerikane në Shqipëri, Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaço theksoi se, “për vite, investimet ngecën në rreth 80 milionë dollarë, por gjatë dy viteve të fundit, investimet janë rritur në 220 milionë dollarë – një rritje e jashtëzakonshme prej 250%”.
“Kjo tregon ndryshimin e realitetit, por ne duhet të pranojmë se jemi ende shumë nën potencialin tonë. Ne duhet të synojmë për miliarda investime. Çështja është qëndrueshmëria – si t’i bëjmë këta investitorë të qëndrojnë për një afat të gjatë kohor. Për ta arritur këtë, ne kemi nevojë për një klimë konkurruese biznesi dhe investimesh. Faktorë të tillë si lehtësia e lejeve, niveli i korrupsionit, a kanë investitorët shanse për të hyrë në prokurimet publike, a janë stimujt e investimeve konkurruese – janë çështje reale që përcaktojnë klimën e investimeve. Ne duhet të ofrojmë një mjedis tërheqës për të siguruar investitorë strategjikë.Ne duam të jemi konstruktiv, nuk duam thjesht të ankohemi, ndaj dhe kemi krijuar një vizion të quajtur Axhenda e Investimeve, e cila ka 40 rekomandime, duke përfshirë strategjinë e investimeve (sektorët prioritarë, vendndodhjet, infrastrukturën), një paketë kundër korrupsionit (e bën të lehtë që agjencitë e zbatimit të ligjit të identifikojnë dhe kapin aktet e gabuara), një reformim i plotë i Prokurimit Publik në mënyrë që të gjithë të kenë akses, zbatimi i Konsultimit Publik në mënyrë që të rrisë besimin dhe angazhimin e grupeve të interesit dhe në fund një sistem tatimor modern që është konkurrues në rajoni, lufton informalitetin dhe pasqyron standardet ndërkombëtare të kontabilitetit. Kjo nuk është lista jonë e dëshirave është përbërësi bazë i një ekonomie të suksesshme dhe konkurruese dhe së bashku me Dhomën Amerikane, ky është një vizion që ne ndajmë me dhomën gjermane, franceze dhe italiane”, tha ai.
Po ashtu, Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaço tha se, “dua të vë në dukje 2 mundësi të rëndësishme për ekonominë shqiptare dhe komunitetin e biznesit të Dhomës Amerikane”.
“E para është teknologjia. Tani keni një shans për të hapur një biznes në Shqipëri dhe për të pasur një klient në SHBA. Kjo është një mundësi e vërtetë dhe disa duke përfshirë anëtarët tanë po e bëjnë. Por për ta bërë atë në masë sigurisht që ju duhet një mjedis më konkurrues.Së dyti është procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian, e cila është në pragun tonë dhe paraqet njëkohësisht një sfidë dhe një mundësi të pabesueshme. Bizneset duhet të rrisin standardet për të qenë në gjendje të jenë konkurruese në tregjet e BE-së, por ata gjithashtu mund të hyjnë në tregjet e BE-së tani.Dhe për të përfituar si nga teknologjia ashtu edhe nga tregjet e BE-së, ne kemi nevojë për një kuadër më konkurrues biznesi dhe investimesh. Megjithatë, kjo kërkon një partneritet të vërtetë midis sektorit publik dhe privat – asnjë vend i suksesshëm dhe i zhvilluar nuk e ka arritur këtë i vetëm. Shpresojmë të shohim një bashkëpunim të përmirësuar në vitet e ardhshme”, tha në fund Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaço.























