Hapet Panairi i Përgjithshëm Ndërkombëtar "Prishtina 2023"
M.Sh/RTKlive
Për herë të dytë në Prishtinë është hapur Panairi i Përgjithshëm Ndërkombëtar "Prishtina 2023", në të cilin po marrin pjesë një numër i madh i kompanive vendore e të huaja. Gjatë ceremonisë së hapjes solemne, prezent ishin edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama dhe drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj, ku së bashku me kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Naser Rafuna prenë shiritin e Panairit.
"Ky panair i cili organizohet për të njëzet e dytën herë ka rëndësi jo vetëm për vendin, por edhe për rajonin e më gjerë sepse i jep rëndësi ekonomike, strategjike, integruese, sociale dhe mbi të gjitha është hap i fortësimit të partneritetit ndër-rajonal si dhe përmirëson imazhin dhe perceptimin rreth shtetit tonë”, tha Rafuna.
Pjesëmarrja e madhe e kompanive nga vende të ndryshme, sipas tij, dëshmon fuqinë integruese të këtij panairi. “Ky panair do ta shndërroj Prishtinën në një kryeqytet të rajonit pasi është panairi më i madhi në Ballkan", tha Rafuna
Ndërsa kryetari i Prishtinës, Përparim Rama tha se ky panair është një mundësi e shkëlqyeshme që bizneset tona lokale dhe ato ndërkombëtare t'i shkëmbejnë idetë dhe të gjejnë mundësi të reja për rritjen dhe zhvillimin e tyre. “Ju inkurajoj t'i ndiqni sesionet informative që synojnë të ofrojnë njohuri të vlefshme për rregulloret e investimeve, trendet e tregut dhe sektorët potencialë për investime në Kosovë”, ka deklaruar Rama.























