OEGJK partnere e Konferencës për softuerin e hapur gjeo-hapësinor FOSS4G
RTKlive
Oda Ekonomike Gjermano – Kosovare (OEGJK), ka nënshkruar marrëveshje me Free Libre Open Source Software Kosova (FLOSSK), për partneritet në organizimin e ngjarjes `Business to Business (B2B)` për kompanitë pjesëmarrëse të konferencës internacionale FOSS4G 2023, që është tubimi më i madh në botë për softuerin e hapur gjeo-hapësinor.
"Konferenca vjetore ndërkombëtare FOSS4G e organizuar nga Open-Source Geospatial Foundation (OSGeo) dhe FLOSSK do të mbahet në ITP Prizren nga 26 qershor - 2 korrik 2023, dhe pritet të tejkalojë 600 persona pjesmarrës nga gjithë bota. Përgjatë një jave, do të krijohen produkte, standarde dhe protokolle gjeo-hapësinore efektive dhe relevante përmes seminareve, prezantimeve, diskutimeve dhe bashkëpunimeve", njofton Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare.
Tutje OEGJK ka bërë të ditur se me datë 27.06.2023 do të fascilitojë aktivitetin B2B, për të bashkuar pjesëmarrës nga e gjithë bota, përfshirë edhe pjesëmarrës gjermanë, që do të kenë rastin të prezantojnë kompaninë e tyre duke ua krijuar mundësinë për të gjetur partnerë biznesorë për të shkëmbyer shërbime apo njohuri të të bërit biznes.
Vlen të theksohet se ndër partnerët e konferencës FOSS4G 2023 janë kompanitë e mirënjohura gjermane: Terrestris, Mundialis, Camptocamp Germany GmbH, lat/lon si dhe anëtari i Odës Ekonomike Gjermano – Kosovare, ProCredit Bank.























