Telekomi zgjeron platformën 4G, afektohen përkohësisht platformat 2 dhe 3G
Foto arkiv/ RTKlive
Ekonomi

Telekomi zgjeron platformën 4G, afektohen përkohësisht platformat 2 dhe 3G

A.B/RTKlive

Telekomi i Kosovës, njofton se po zgjeron platformën për 4G, dhe është afektuar përkohësisht platformat 2G dhe 3G.

“Nevojat e konsumatorëve tanë për shërbime të internetit janë në rritje të vazhdueshme. Për t’i përballuar këto kërkesa dhe të gjitha kërkesat tjera, aktualisht Telekomi ka hyrë në fazën e ndërrimit të platformave ekzistuese, të cilat si pasojë e mungesës së investimeve teknologjike prej mbi 8 vite, nuk kanë më kapacitet të mjaftueshëm për ta përballuar rritjen e kërkesave për shërbime të avancuara të internetit”, thuhet në komunikatën e Telekomit të Kosovës.  

Sipas komunikatës falë investimeve shumëmilionëshe për modernizim të rrjetit dhe platformave teknologjike, në këtë fazë po bëhen përpjekje që të rriten kapacitetet, ashtu që konsumatorët tanë të mund të shfrytëzojnë sa më mirë shërbimet përmes ofertave shumë të favorshme.

“Të premten, në kuadër të aktiviteteve për zgjerimin e kapaciteteve për rrjetin 4G, të cilat veçse janë rritur për rreth 25%, pati një afektim të pjesshëm në platformat e tjera të shërbimeve të internetit 2G dhe 3G. Sigurisht, kjo krijoi shqetësime të arsyeshme te konsumatorët tanë, shqetësime të cilat janë adresuar dhe është punuar e po punohet pa u ndalur për tejkalimin e plotë të tyre”, thuhet në komunikatën e Telekomit të Kosovës. 

Telekomi njofton se janë në fazë intensive të ndërrimit të platformave ekzistuese me ato të fjalës së fundit në teknologjinë telekomunikuese.

“Si edhe deri më tani edhe në këtë periudhë po i trajtojmë me kujdesin më të madh të gjitha ankesat e qytetarëve dhe shpresojmë në mirëkuptimin e tyre dhe adresimin e menjëhershëm te ne të çdo shqetësimi që ata e kanë lidhur me shërbimet tona”, thuhet në komunikatën e Telekomit të Kosovës.  

Sipas Telekomit është e qartë se fushatat joparimore dhe të porositura për interesa të caktuara, çfarëdo qofshin ato, nuk do të arrijnë të zhvendosin fokusin tonë nga rimëkëmbja e Telekomit të Kosovës, përmes një projekti gjithëpërfshirës  të ristrukturimit dhe investimeve i cili tashmë është në fazën e implementimit.

“Efektet e këtij procesi do të vërehen qysh në muajt e ardhshëm. Për me tepër, me qytetarët/konsumatorët tanë, në shërbim të të cilëve jemi 24/7, edhe përkundër këtyre fushatave dramatike të cilat sheshit e favorizojnë konkurrencën, do të ruajmë marrëdhënien e besimit të ndërsjellë të cilën e krijuam përgjatë vështirësive të cilat i kaluam bashkë, e që erdhën si pasojë e një menaxhimi të keq, mos investimi të gjatë në teknologji dhe mirëmbajtje të platformave si dhe abuzimit me pronën publike në të kaluarën e afërt”, , thuhet në komunikatën e Telekomit të Kosovës.  


MË SHUME NGA Ekonomi