Kurti takon përfaqësues të shoqatës kryesore italiane të bizneseve
F. Sertolli / RTKlive
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka takuar përfaqësues të shoqatës kryesore të bizneseve në Itali, Confindustria, e cila ka anëtare mbi 150 mijë kompani të prodhimit dhe shërbimit dhe që punësojnë mbi 5.4 milionë persona.
“Stabiliteti institucional, mjedisi i përshtatshëm për biznes, politikat e qëndrueshme makroekonomike, zhvillimi ekonomik, progresi demokratik, sundimi i ligjit, gjykata komerciale, fuqia punëtore profesionale dhe e talentuar, pozita e përshtatshme gjeografike dhe një ekonomi e orientuar nga eksportit, ishin disa nga tiparet dhe përparësitë për investime dhe investitorë të huaj”, ka thënë kryeministri Kurti, thuhet në një njoftim për media.
Duke i falënderuar për interesimin dhe vizitën, Kurti i ftoi ata dhe partnerët e tyre që të eksplorojnë mundësitë që Kosova ofron.
Ndryshe sipas njoftimit në takim, të shoqëruar nga ambasadori i Italisë në Kosovës, Antonello De Riu, ishin Muharrem Salihu, biznesmen italiano-shqiptar me prejardhje nga Medvegja, Silvano Martinotti, përfaqësues i Confindustria për mjedis dhe sport, Valentina Lazzarini, Presidente e kompanisë Fidoimpresa S.P.A që bashkëpunon me Confidustria dhe Daniela De Giorgi, Drejtuese e Zyrës për Tregti në ambasadën e Italisë.