FSSHK  kërkon siguri për punëtorët shëndetësorë
BKT
Shëndetësi

FSSHK  kërkon siguri për punëtorët shëndetësorë

E. Hoti/ RTKlive

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës  ka kërkuar siguri  për punëtorët shëndetësorë, pas  dy sulmeve të regjistruar gjatë kësaj jave.

Këtë javë, një punëtor është sulmuar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prizren dhe një në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë.

“FSSHK dënon çdo akt apo formë të dhunës, e në veçanti, dhunën fizike e cila është kthyer në një fenomen ndaj mantelbardhëve.FSSHK kërkon nga organet e rendit dhe të sigurisë që të gjitha këto sulme dhe kryerësit e tyre të nxirren para drejtësisë, si dhe ndaj tyre të shqiptohen masa në përputhje me legjislacionin penal, sepse sulmi ndaj mantelbardhëve është sulm ndaj shtetit, është i dënueshëm dhe i pakompromis”, thuhet  në reagim.

FSSHK thotë se mantelbardhët të gjithë pa dallim janë maksimalisht të përkushtuar dhe të përgatitur profesionalisht në ofrimin e shërbimeve shëndetësore për të gjithë qytetarët e vendit.

Sipas tyre, punëtorët shëndetësorë punojnë edhe në kushte jo shumë të favorshme, të cilat sipas tyre janë edhe njëra nga arsyet e shpërthimit të dhunës nga ana e pacientëve.

“FSSHK kërkon nga Ministria e Shëndetësisë, SHSKUK dhe Komunat që sigurinë në vendin e punës për punëtorët shëndetësor ta trajtojnë me prioritet dhe jo vetëm me deklarime publike”, thuhet në reagim.


MË SHUME NGA Shëndetësi