Nënshkrimi i marrëveshjeve, ekspertët: Hap i mirë, të zbatohet në praktikë
BKT
Ekonomi

Nënshkrimi i marrëveshjeve, ekspertët: Hap i mirë, të zbatohet në praktikë

Pajtim Çuni /Radio Kosova

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë nënshkruan dje 13 marrëveshje dhe memorandume që pritej të nënshkruheshin në mbledhjen e dy qeverive që u anulua më 13 qershor. Njohës të zhvillimeve politike vlerësojnë se nënshkrimi i marrëveshjeve është një hap i mirë, por që duhet të pasohet me zbatimin e tyre në praktikë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk e takoi dje kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, si pasojë e ftohjes së raporteve mes tyre, veçmas pasi Rama anuloi njëanshëm mbajtjen e mbledhjes së dy qeverive në Gjakovë. Marrëveshjet që pritej të nënshkruheshin më 14 qershor, u nënshkruan dje nga autoritetet në Shqipëri, ndërsa pasoi nënshkrimi i tyre edhe nga autoritetet e Kosovës.

Njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe zhvillimeve politike i vlerësojnë si pozitive nënshkrimin i 13 marrëveshjeve nga ana e Shqipërisë dhe Kosovës. Profesori universitar, Dritëro Arifi, tha për Radio Kosovës se më me rëndësi se nënshkrimi i marrëveshjeve është zbatimi në praktikë.

 “Është shumë me rëndësi që ato marrëveshje u nënshkruan. Duhet vazhdimisht të punohet në përmirësimin e mirëqenies së jetës së qytetarëve, andej e këndej kufirit. Por, tash, duke i parë raportet e Shqipërisë dhe Kosovës, respektivisht të dy kryeministrave, pavarësisht sa marrëveshje do të nënshkruajnë unë vështirë do të besoj se këto marrëveshje do të mund të zbatohen në tërësinë e vet. Sepse, padyshim edhe raportet ndikojnë në implementimin e marrëveshjeve në të dyja vendet”, tha ai.

Politologia Arta Tahiri-Beqa, ndërkaq, thotë se marrë për bazë anulimin e njëanshëm të mbledhjes së dy qeverive nga kryeministri Rama, nënshkrimi i marrëveshjeve dje është një hap i mirë.

“Këto marrëveshje janë jashtëzakonisht të rëndësishme, sepse sado që mund të duken simbolike ato po ndikojnë në jetën e përditshme apo në punët administrative që mund të kenë qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë, për punët apo aktivitetet e tyre politike, ekonomike e të arsimit. Gjithmonë këto takimet ndërmjet dy qeverive kanë lehtësuar procedurat burokratike që është dashur të ndiqen në të kaluarën”, tha ajo.

Pas nënshkrimit të marrëveshjeve këtë të enjte, Qeveria e Kosovës, ka njoftuar se për dy vjet, në dy mbledhjet e shkuara janë nënshkruar 41 marrëveshje qeveritare, ndërministrore e ndërinstitucionale.


MË SHUME NGA Ekonomi