ATK shqipton 209 gjoba për sektorin e gastronomisë
BKT
Ekonomi

ATK shqipton 209 gjoba për sektorin e gastronomisë

F. Sertolli / RTKlive

209 gjoba në vlerë rreth 48 mijë euro u ka shqiptuar Administrata Tatimore e Kosovës lokaleve të natës dhe atyre të gastronomisë, gjatë inspektimeve javën e kaluar.

ATK-ja përmes një njoftimi për media, thotë se gjatë inspektimit në lokalet e natës dhe restorante ka gjetur 63 punëtorë të padeklaruar, ndërsa ka konfiskuar 4 printerë jofiskal.

Këto kontrolle janë iniciuar me qëllim të monitorimit dhe verifikimit të zbatimit të ligjeve dhe rregullave tatimore, kur kemi parasysh se tek këta sektorë në sezonin e verës kemi shumëfishim të aktivitetit. Në fokus të inspektimeve kanë qenë disa aspekte kyçe, si: arkat fiskale dhe punëtorët e pa deklaruar. Inspektorët kanë verifikuar nëse klubet e natës dhe restorantet kanë përdorur arkën fiskale, ku kanë kërkuar nga pronarët që të gjitha transaksionet e tyre financiare të regjistrohen me korrektësi. Si rezultat janë konfiskuar 4 printer jo-fiskal. E në përpjekje për të luftuar ekonominë informale dhe garantuar të drejtat e punonjësve, inspektorët kanë kontrolluar vërtetësinë e punës dhe deklarimin e punonjësve të klubeve të natës dhe restoranteve, me ç’ rast janë gjetur duke punuar 63 punëtorë të pa deklaruar, njofton ATK.

 

Gjithashtu këto kontrolle kanë adresuar çështje tatimore të tjera, si përmbushja e detyrimeve të tatimit mbi fitimin dhe Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për furnizime të ndryshme dhe shërbime. 

“Si rezultat i këtyre kontrolleve, gjithsej janë ndarë 209 gjoba në vlerë 48,875 euro. Administrata Tatimore inkurajon bizneset e këtyre sektorëve të respektojnë ligjet tatimore dhe të bashkëpunojnë për të shmangur shkeljet dhe për të kontribuar në zhvillimin e një ambienti të drejtë dhe konkurrues”, thuhet tutje në njoftimin e ATK-së.


MË SHUME NGA Ekonomi