Kurti zotohet për mbështetje të bizneseve të vogla e të mesme
BKT
Ekonomi

Kurti zotohet për mbështetje të bizneseve të vogla e të mesme

M.Miftari/RTKlive

Kryeministri i Republikës së Kosovë, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, kanë vizituar sot kompaninë “BBI Plast” në komunën e Vushtrrisë, me pronar Irfan Zekolli, kompani kjo e cila është edhe përfituese e masës 2.1 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.

Përmes një njoftimi për medie bëhet e ditur se kryeministri Kurti u njoh nga afër për fushëveprimtarinë e kësaj kompanie, e cila si aktivitet primar e ka prodhimin e produkteve të plastikës ndërsa aktivitet sekondar tregtinë me shumicë të makinerive bujqësore, pajisjeve dhe pjesëve furnizuese e po ashtu ka aktivitete të tjera të ndryshme të tregtisë, derisa e përgëzoi pronarin e kësaj kompanie për punën dhe angazhimin e pandalshëm, e cila ka filluar aktivitetin e saj që nga viti 2016 duke u bërë një biznes i suksesshëm në treg.

 “Sot erdhëm për të vizituar këtu një ndërmarrje e cila është gjithnjë e më e suksesshme për shkak të prodhimtarisë shtesë që po bën, ‘’BBI Plast’’, me ç’rast patëm rastin të takohemi me pronarin Irfan Zekolli dhe me punëtorë të tij’’, u shpreh kryeministri.

Më tej, njoftohet se kompania ‘’BBI Plast’’ punëson 19 persona, që, si një ndërmarrje e vogël synon që të bëhet ndërmarrje e mesme duke u shquar për prodhimin e shisheve të plastikës për materiale të ndryshme dhe të kapakëve.

Veç kësaj, bëhet e ditur se kjo kompani, e cila është subvencionuar me 30 mijë euro nga Qeveria është biznes i regjistruar dhe aktiv në platformën Superpuna, ku përmes platformës ka të angazhuar një punëtor.  

Aktualisht, përmes Superpuna biznesi ka 3 pozita të hapura. 2 pozita janë për punëtorë në prodhim, ndërsa 1 pozitë si “inxhinier i makinerive industriale të prodhimit të plastikës”, thuhet në njoftim.

 


MË SHUME NGA Ekonomi