Hoti: Reformat ekonomike duhet të diskutohen gjerësisht me FMN-në
E. Hoti / RTKlive
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka takuar sot misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar që po qëndron në Kosovë.
Hoti ka shkruar në Facebook se kanë diskutuar në detaje për situatën ekonomike në vend.
“Vitin e kaluar Kosova ka përjetuar krizën më të madhe të dekadës së fundit, të shkaktuar nga inflacioni i lartë dhe kriza energjetike. Kjo krizë ka shkaktuar një tronditje në jetën e qytetarëve dhe në kostot e bizneseve. Delegacionit të FMN-së ia prezantova qëndrimin tonë lidhur me zhvillimet ekonomike aktuale dhe të pritshme. Shpreha shqetësimin tonë si parti e djathtë, që mbështet konkurrencën e lirë dhe biznesin privat, për përkeqësimin e strukturës së buxhetit shtetëror, konkretisht për rënien e investimeve kapitale nga 23% në 15% të buxhetit, si dhe për rritjen e shpenzimeve për subvencione dhe transfere nga 32% në 42% të buxhetit. Një strukturë e tillë e buxhetit nuk e ndihmon ekonominë të përballet me sfidat nëpër të cilat po kalojmë”.
Hoti ka thënë se ka shprehur shqetësimin edhe për vonesat në emërimin e Guvernatorit të Bankës Qendrore, Bordit të Trustit Pensional, Komisionin për Ndihmë Shtetërore dhe trupave të tjerë shtetërorë të rëndësishëm për mbarëvajtjen e ekonomisë.
“Institucionet tona duhet të bashkëpunojnë ngushtë me FMN-në. Reformat kryesore ekonomike duhet të diskutohen gjerësisht me FMN-në dhe misionin që mbulon Kosovën. Përvoja e tyre është globale dhe, rrjedhimisht, shumë e vlefshme për vendimmarrjen e institucioneve të Kosovës. I falënderova për angazhimin e tyre gjatë viteve. LDK-ja do të jetë konstruktive në të mirën e qytetarëve dhe zhvillimit ekonomik të Kosovës”, ka shkruar Hoti.























