Aliu: Korridori ajror me Shqipërinë është përcaktuar
M.Miftari/RTKlive
Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Liburn Aliu, në një konferencë për medie ka folur edhe për korridorin ajror Kosovë-Shqipëri-Mali i Zi.
Lidhur me korridorin ajror me Malin e Zi, ministri Aliu sqaroi se Mali i Zi kontrollin ajror e ka shërbimin e përbashkët me Serbinë.
“Mali i Zi vazhdon ta ketë shërbimin e navigimit ajror të kontrolluar nga Serbia, pra një shërbim i përbashkët, ndaj për Kosovën ka qenë problematike që të hapë këto korridore”, deklaroi ministri Aliu, derisa shtoi se në raste të veçanta, Mali i Zi ka treguar një lloj pavarësie në veprim, duke përmendur rastin e Lavrovit.
Ministri Aliu tha se ky ishte një sinjal që Mali I Zi mund te vepruaka në mënyrë të pavarur, ndërsa vuri në dukje se nga ai vend I është kërkuar që të bëjnë një marrëveshje që njihet si “Liria e pestë”, që nënkupton fluturimet që vijnë nga Podgorica për në Bruksel të shkojnë përmes Prishtinës.
“Për një liri të tillë ne ishim dakord, nëse kjo do të bëhej nëpër korridore më Malin e Zi”, sqaroi Aliu, teksa shtoi se kjo marrëveshje është ende në pritje dhe nuk dha ndonjë datë se kur mund të ndodhë.
Ndërkaq lidhur me korridorin me Shqipërinë, ministri Aliu tha se korridoret janë të përcaktuara, derisa shtoi se pritet konfirmimi i tyre që të bëhen të planifikuara në fluturimet ndërkombëtare.























