`Marketi i Ndërtimit` mundësi e të bërit biznes në sektorin e ndërtimit
Arbenita Marmullaku /Radio Kosova
`Marketi i Ndërtimit` ka mbledhur kompani të ndryshme të kësaj fushe në Sallën "1 tetori" në Prishtinë. Ky panair ka për qellim që t`u ofrojë klientëve çmime sa më të lira të banesave, shtëpive e materialeve të ndryshme të ndërtimit. Biznese pjesëmarrëse i thanë Radio Kosovës së janë shumë të kënaqur nga ky panair.
Për herë të parë në Kosovë, ‘Ekipi A Managment’, i krijuar dhe i përbërë nga ekspertë dhe të diplomuar në universitete prestigjioze amerikane, kanë sjellë në Kosovë brendin ndërkombëtar të marketit të shitblerjes së banesave, shtëpive dhe produkteve të tjera, me zbritje promovuese.
Në këtë panair të marketit të ndërtimit po marrin pjesë shumë kompani.
Halim Hoti, koordinatori i 'Marketit të Ndërtimit', tha se në këtë panair qytetarët po kanë mundësi që të blejnë banesa, shtëpi e materiale të ndryshme të ndërtimit me çmime më të lira.
“Qëllimi i këtij panairi është që qytetarët të blejnë me çmime më të lira e të përfitojnë nga zbritjet që kanë ofruar kompanitë, ndërsa kompanitë do të rrisin sasinë apo intensitetin e shitjes përgjatë ditëve të panairit”, tha koordinatori Hoti.
Radio Kosova, ka biseduar me disa biznese pjesëmarrëse në këtë panair të cilët u shprehën të kënaqur me shitjet e tyre. Erleta Grainca, ekonomiste në biznesin e saj të ndërtimit. tha se përkundër që njerëzit nuk ishin aq të informuar për këtë panair, pati mjaft shumë të interesuar. Grainca tha se ka arritur të përfitojë tre klientë gjatë ditës për çka ajo tha se është shumë e kënaqur.
“Për sa i përket biznesit tonë, doli përtej asaj që kemi menduar. Sot është dita e dytë, ne fituam tre klientë, kjo është shumë mirë!”, deklaroi Grainca.
Erald Hysa, ka ardhur nga Shqipëria për të prezantuar resortin e tij të ndërtuar në Sarandë. Ai tha se synon të përfitojë klientë nga Kosova dhe diaspora e Kosovës.
“Ne ndiejmë që ka goxha klientelë nga Kosova apo diaspora e Kosovës. Deshëm të jemi prezentë këtu të vinim më afër klientëve tanë, sepse zakonisht vijnë ata në Tiranë apo Sarandë. Ne kishim programuar që më përpara takimet me klientët tanë dhe kishim takimet e para të organizuara”, theksoi Hysa.
Ndërsa Arben Daka, pronar i një kompanie ndërtimi në vend, tha se panairin e kanë parë si mundësi të mirë bashkëpunimi si dhe për të informuar klientët rreth biznesit të tyre.
“Kontaktet me klientë ishin shumë të mira dhe pati shumë njerëz të interesuar. Besoj se do të ketë shumë efekt në të ardhmen ky panair”, deklaroi Daka.
Ndryshe, 'Marketi i Ndërtimit' do të jetë i hapur edhe të mërkurën deri në orën 18:00. Ky panair synon të bëhet traditë në Kosovë.























