Bega: Jetësimi i Fondit Sovran në këtë fazë është i paqartë
BKT
Ekonomi

Bega: Jetësimi i Fondit Sovran në këtë fazë është i paqartë

Albulena Bytyqi / RTK Radio

Jetësimi i Fondit Sovran për menaxhimin e ndërmarrjeve me të mëdha publike të  Kosovës, është i paqartë.  Kështu tha për Radio Kosovën njohësi i ekonomisë, Erto Bega. Ai ka shtuar se ndërmarrjet e mëdha publike në Kosovë duhet të përgatitën për tregun global dhe jo të krijohen megaborde, që rëndojnë burokracinë.

Fondit Sovran, të cilit pritet t’i barten ndërmarrjet publike më të rëndësishme të Kosovës, për ekonomistin Erton Bega, në këtë fazë është i paqartë për sa i përket objektivave të politikave për asetet publike.

Bega për Radio Kosovën tha se krijimi i këtij fondi ka qenë premtim i Lëvizjes Vetëvendosje për të ndryshuar menaxhimin  e aseteve publike, por sipas tij, forma e Fondit Sovran në këtë fazë është e paqartë. Begaj u  shpreh skeptik që ky fond do të jetë i suksesshëm.  

 

“Forma se si  qeveria po mendon ta jetësojë Fondin Sovran dhe qëllimet të cilat ia kanë vendosur në këtë fazë, janë të paqarta dhe të pamjaftueshme për të bindur së do të jetë i suksesshëm. Çdo tentativë për të organizuar ndërmarrjet publike për të ndërhyrë në ekonomi, është e parashikuar të dështojë, sepse nuk mund t’i përgjigjet frymës së tregut në Kosovë”, tha ai.

Sipas vlerësimeve të grupit punues të Projektligjit për Fondin Sovran disa nga ndërmarrjet publike, të cilat janë identifikuar se mund t’i barten Fondit Sovran janë: Korporata Energjetike e Kosovës, Telekomi i Kosovës, Posta e Kosovës, Kombinati metalurgjik Trepça, Trainkos-i, Infrakos-i.

Bega thotë se shteti duhet të ndërhyjë vetëm në rastet e krizave siç ka qenë në kohën e pandemisë dhe lufta në Ukrainë.  Ai thotë se kapacitet e këtyre ndërmarrjeve  janë të mëdha dhe mund të jenë konkurruese për tregun global dhe jo të bëhen megaborde që të krijojnë burokraci.

 “Këto ndërmarrje duhet të menaxhohen që të jenë konkurruese për tregun rajonal dhe jo, assesi të krijohen megaborde që do të krijojnë  burokraci të panevojshme në vendimmarrje dhe do ta zhveshin qeverinë nga përgjegjësia në vendimmarrje, sepse në raste të keq-menaxhimeve kurban do të bëhet ky megabord dhe jo qeveria”, tha ai.

Begaj tutje ka thënë se fokusi do të duhej  të ishte në përmirësimin e menaxhimit të tyre përmes ngritjes së mekanizmave të llogaridhënies dhe transparencës  e jo përmes krijimit të bord mbi bord, sepse kjo vetëm paraqet një burokraci dhe ngadalëson vendimmarrjen në të ardhmen në ndërmarrjet publike. Kosova nuk ka resurse të tilla njerëzore për të menaxhuar një mega bord të tillë. Ai tutje ka potencuar se Fondi Sovran do të jetë problemi më i madh  i ndërmarrjeve publike në Kosovë.

 


MË SHUME NGA Ekonomi