Gara: Me destinacione e kompani të reja krijojmë konkurrencë në treg në ANP
A.Bela/RTKlive
Zëdhënësja e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës ‘ Adem Jashari’, Valentina Gara, tha se po rritet numri i pasagjerëve në këtë aeroport.
Për të plotësuar kërkesat e pasagjerëve, aeroporti shton më shumë fluturime sidomos çarter gjatë sezonit të festave dhe pushimeve vjetore. “Vitin e kaluar, në Aeroportin e Prishtinës kanë kaluar gati tre milionë pasagjerë, ndërsa në fillim të gushtit 2023 është regjistruar një shifër prej dy milionësh, tha Gara në programin e mëngjesit të RTK2.
Sipas saj, gjatë sezonit të verës ne përgjithësisht prezantohen destinacione dhe linja ajrore të reja, sepse e kërkon tregu.
“Në kulmin e sezonit të pushimeve verore, poashtu shtohen edhe destinacione të shumta turistike, veçanërisht për në Turqi. Pastaj kemi fluturime çarter shtesë, që nënkupton jo linja të rregullta, ndërsa fluturimet e rregullta janë ato që operojnë pavarësisht sezonit”, tha Gara. Para sezonit ndërmerret organizimi i fluturimeve, punësimi i personelit shtesë, si dhe detaje të tjera, ndërsa çmimi i biletave varet nga kërkesat e tregut. “Kompanitë ajrore vendosin për çmimet e biletave nga kërkesat e tregut. Para disa vitesh kishim një numër më të vogël të linjave ajrore dhe kjo është arsyeja që çmimet e biletave ishin më të larta. Tani po përpiqemi të prezantojmë destinacione, kompani të reja dhe në këtë mënyrë të krijojmë konkurrencë në treg dhe në këtë mënyrë të sigurojmë çmime më të ulëta të biletave”, tha ajo. Duke shtuar se për shkak të kërkesës së lartë, biletat e sezonit janë pak më të shtrenjta dhe çmimi i tyre bie në fund të sezonit.
“Ka një periudhe që çmimet e biletave bien, kur ka më pak kërkesa dhe mund të blihen më lirë, jashte sezonit kemi kompani "low cost", pra ka pasur bileta për në Milano edhe me 39 euro, por çmimet e tyre diktohen nga kërkesa. Duhet t'i përcillni edhe online, sepse kështu mund të merrni bileta më të lira avioni”, ka saktësuar Gara.
Zëdhënësja e Aeroportit të Prishtinës, Valentina Gara, u kujton udhëtarëve se për shkak të procedurës së nevojshme, duhet të jenë në aeroport dy orë para nisjes.























