MSH thirrje për kontroll të ujit, shkak rritja e rasteve meningjeale
BKT
Shëndetësi

MSH thirrje për kontroll të ujit, shkak rritja e rasteve meningjeale

M.P. / RTKlive

Ministria e Shëndetësisë nëpërmjet një komunikate për media ka bërë thirrje për kujdes ndaj kontrollit të vazhdueshëm të ujit dhe klorizimit të tij.

Institucioni më i lartë i shëndetësisë ka bërë thirrje që klorizimin ta bëjnë për ujë të pijes dhe të pishinave. Kjo për shkak të rritjes së numrit të rasteve të raportuara për Sindromën meningjeale gjatë muajit korrik-gusht.

“Meningjiti mund të prekë këdo që bie në kontakt me agjensin, por disa grupmosha janë më të rrezikuara. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, meningjiti prek më së shumti moshat e reja ngaqë sistemi imunitar tek personat e rinj, kryesisht foshnjat, fëmijët dhe adoleshentët nuk është zhvilluar mjaftueshëm për të luftuar agjensët”, njofton MSH.

Shkaktar i sindromës meningjeale janë infeksionet bakteriale ose virale. Ndërsa, si rrugë e përhapjes së infeksionit mund të jenë pishinat, vendet e freskimit, kontakti dhe uji për pije.

“Tek simptomat e sëmundjes përfshihen: të vjella, marramendje, temperaturë e lartë e trupit, dhimbje e muskujve, ndjeshmëri ndaj dritës, dhimbje e kokës, konfuzion, gjymtyrë të ftohta, skuqje e lëkurës. Ndërsa tek fëmijët mund të ketë edhe simptoma si frymëmarrja e shpejtuar, irritim dhe të qara për një kohë të gjatë, humbje të përqendrimit dhe mungesë oreksi”, njofton MSH.


MË SHUME NGA Shëndetësi