Rriten rastet me meningjit, Vishaj thotë se situata nuk është alarmante
Albulena Bytyqi / RTK-Radio
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar për rritje të numrit të rasteve me meningjit që prek kryesisht moshat e reja. Por situata, sipas drejtuesve të Klinikës Infektive të QKUK-së, nuk është alarmente. Sipas tyre, ka një rritje të lehtë të rasteve, por nuk ka vend për panik.
Ndonëse Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar se është rritur numri i rasteve me meningjit, drejtuesit e Klinikës Infektive në QKUK thonë se situate nuk është alarmante.
Drejtori i kësaj klinike, Arben Vishaj, ka folur për Radio Kosovën për numrin e pacientëve me meningjit që janë duke u trajtuar në këtë klinikë.
“Aktualisht ne Klinikën Infektive në QKUK janë duke u trajtuar me meningjit akut 8 pacientë, dy nga këta pacientë janë me meningjit viral, kurse gjashtë pacientë të tjerë me meningjit bakteror. Ndërsa moshat e pacientëve me meningjit janë kryesisht mosha pediatrie”, tha Vishaj.
Ndonëse ka një rritje të lehtë të rasteve, Vishaj thotë se nuk ka vend për panik. Por thotë se popullata duhet të ketë kujdes në pastrimin e produkteve ushqimore si dhe në konsumimin e ujit të pijshëm sidomos nga puset.
“Nuk ka vend për panik, infeksionet bakterore të meningjitit janë pothuajse të njëjta me vitin e kaluar, por në raport me vitin e kaluar ne kemi një trend të lehte të rritjes se infeksionit te moshat pediatrie”, theksoi ai.
Por popullata duhet të ketë kujdes në pastrimin e produkteve ushqimore si dhe në konsumimin e ujit të pijshëm e sidomos nga puset të keni kujdes të shtuar që paraprakisht ujin termikisht ta trajtojmë.
Ministria e Shëndetësisë nëpërmjet një komunikate për media ka bërë thirrje për kujdes ndaj kontrollit të vazhdueshëm të ujit dhe klorizimit të tij. Kjo për shkak të rritjes së numrit të rasteve të raportuara për sindromën meningjeale gjatë muajit korrik-gusht. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, meningjiti prek më së shumti moshat e reja ngaqë sistemi imunitar të personat e rinj, kryesisht foshnjat, fëmijët dhe adoleshentët nuk është zhvilluar mjaftueshëm për të luftuar agjensët?
Shkaktar i sindromës meningjeale janë infeksionet bakteriale ose virale. Ndërsa, si rrugë e përhapjes së infeksionit mund të jenë pishinat, vendet e freskimit, kontakti dhe uji për pije.























