Ankandi solar tërheq investitorë
BKT
Ekonomi

Ankandi solar tërheq investitorë

Arbresha Berisha/RTK

Qindra kompani vendore e të huaja kanë aplikuar në ankandin e hapur për energji solare me kapacitet prej 100 megawatësh, i cili do të ndërtohet në Kramovik të Rahovecit. Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha për RTK-në se kanë krijuar strategji afatgjate për ata që duan të investojnë në burime të ripërtërishme të energjisë. Sipas ZRRE-së, parku solar do ta ulë nevojën për import të energjisë.

Qytetarët presin që gjatë ndërtimit të parkut solar të punësohen banorët e zones. Për ndërtimin e parkut solar kanë shprehur interesim të madh kompani vendore e të huaja.

“Ankandi është duke shkuar shumë mirë. Mbi 140 kompani apo përfaqësues të kompanive, institucioneve e kanë tërhequr dosjen e ankandit. Nga të cilat mbi 40 janë nga vende të Evropës, Amerikës e të tjera. Kemi edhe kompani serioze evropiane që janë të interesuara, kemi edhe dy muaj deri në mbyllje të afatit për aplikim. Deri tani indikacionet janë shumë të mira se do të kemi konkurrencë dhe kompani serioze që do të konkurrojnë”, tha Artane Rizvanolli, ministre e Ekonomisë.

Rizvanolli tutje thotë se kanë krijuar kushte e strategji afatgjate për ata që duan të investojnë në burime të ripërtërishme të energjisë.

 “Kemi krijuar kushtet dhe kemi ofruar vizionin, strategjinë afatgjate për investitorët që kanë interesim të investojnë në Kosovë në burime të ripërtëritshme të energjisë edhe pa përkrahje të shtetit”, theksoi ajo per RTK.

Ministrja e Ekonomisë thotë se duhen tri vite deri në ndërtim të parqeve solare.   

Në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë i thanë RTK-së se pasi prodhimi vendor nuk mund ta mbulojë konsumin i cili është në rritje, parku solar do të ndikojë në zvogëlimin e nevojës për import të energjisë.

“Ndërtimi i parkut solar për 100MW nga energjia solare në Komunën e Rahovecit do të ndihmojë në sigurinë e furnizimit me energji elektrike për qytetarët e vendit dhe do të ndikojë në zvogëlimin e nevojës për import të energjisë”, tha Zyra e Rregullatorit për Energji.

Aplikimi në ankandin për ndërtimin e Parkut Solar do të përmbyllet më 29 shtator.


MË SHUME NGA Ekonomi