Bizneset kosovare me alternativa të tjera për furnizim me mallra
Arbresha Berisha/ RTK
Bizneset kosovare kanë nisur të gjejnë alternativa të tjera për furnizim me mallra, pasi Qeveria e Kosovës, në qershor të këtij viti, kishte ndaluar importin e atyre serbe.
Mirëpo, të njëjtat kanë thënë se nga ky vendim janë dëmtuar, pasi nuk kanë mundur të furnizohen me mallin për të cilin kishin paguar, e as nuk u janë kthyer paratë nga kompanitë me seli në Serbi, raporton RTK.
Kompanitë me seli në Serbi kanë refuzuar t’ua kthejnë paratë bizneseve kosovare që s’kanë mundur t’ua dërgojnë mallrat, për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për ndalimin e importimit të tyre.
Ndërkaq, bizneset tashmë kanë filluar të furnizohen me mallra nga shtetet e tjera, ndonëse thonë se u kanë kushtuar më shtrenjtë.
Nga Qeveria e Kosovës deklaruan për RTK-në se janë optimistë se situata e përmirësuar do ta mundësojë largimin e masave në kufi, mirëpo shtuan se nuk duhet të nxitohen në këtë drejtim.
Ekzekutivi kishte marrë vendim për ndalimin e kamionëve me mallra serbe më 15 qershor të këtij viti, si përgjigje ndaj arrestimit të tre policëve kosovarë nga forcat serbe.























