Kurti takohet me kryeministrin bullgar, në fokus ekonomia
BKT
Ekonomi

Kurti takohet me kryeministrin bullgar, në fokus ekonomia

M.P. / RTKlive

Një javë pas darkës së përbashkët në Athinë të ftuar nga kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, këtë herë në kuadër të Forumit të Bledit për Siguri, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti zhvilloi një takim dy palësh me kryeministrin e Bullgarisë, Nikolai Denkov.

Në takimin e tyre të parë dy palësh, kryeministri Kurti e falënderoi kryeministrin Denkov për mbështetjen e vazhdueshme të Bullgarisë ndaj Kosovës që nga vitit 1999 e tutje, të gjitha fazat e shtetndërtimit, dhe përkrahjen në anëtarësimin e Kosovës nëpër organizata ndërkombëtare.

Kurti e ftoi në vizitë kryeministrin bullgar në Kosovë, duke përmendur reformat në fushën sundimit të ligjit dhe luftimit të korrupsionit. Fusha e ekonomisë ishte një nga pikat kyçe të takimit për bashkëpunim të mëtutjeshëm.

“Në qershor të këtij viti Oda Ekonomike Kosovë-Bullgari themeloi selinë e saj në Sofje. Numri i investitorëve bullgarë në Kosovës është rreth 135 me fuqi investuese rreth 6 milionë euro të shtrirë në disa sektorë si ai i tregtisë dhe shërbimeve, turizmit, ndërtimtarisë, teknologjisë së informacionit dhe transportit”, thuhet në komunikatën e kryeministrisë.

Pjesëmarrës në këtë takim ishin edhe ambasadori i Kosovës në Slloveni, Valdet Sadiku, kryetarja e Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme, Arbëresha Kryeziu Hyseni dhe këshilltari politik i kryeministrit, Jeton Zulfaj.


MË SHUME NGA Ekonomi