Nis zbatimi i projektit për inventarizimin e resurseve të peshkut në Kosovë
E. Hoti / RTKlive
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural e mbështetur nga projekti i Organizatës Gjermane për Zhvillimi në Kosovë (GIZ) dhe në bashkëpunim me ekspertët e Departamentit të Biologjisë , Fakultetit të Shkencave Matematikore Natyrore dhe Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë filluan me zbatimin e Projektit për Inventarizimin e resurseve peshkore në Republikën e Kosovës i cili do të zgjas deri më 10 shtator të këtij viti.
Sipas MBPZhR-së kjo është edhe hera e parë që po realizohet një analizë e përgjithshme e stoqeve të peshkut në resurset ujore të Republikës së Kosovës, i cili ka për qëllim ekonomizimin dhe shfrytëzimin e këtij potenciali për zhvillimin e akuakulturës dhe peshkatarisë.
Projekti do të filloj në pellgun Liqenit të Drinit të Bardhë.
“ Përmes këtij projekti përpos vlerësimit të stoqeve të peshkut do të realizohet edhe hulumtimi i gjendjes aktuale kualitative dhe kuantitative e përbërjes së ihtiopopulacionit në lumin Drini i Bardhë, përcaktimi i shkallës së heterogjenitetit të ihtiofaunës në lokalitetet e zgjedhura në bazë të parametrave të fituar gjatë analizës së përbërjes kualitative dhe kuantitative të ihtiopopulacioneve dhe inventarizim të detajuar të ihtiopopulacionit në regjionet e hulumtuara me theks të veçantë të llojet endemike, invazive dhe aliene përmes krahasimit dhe analizës së rezultateve të fituara”, thuhet në njoftim.
Resurset e ujërave sipërfaqësorë në Republikën e Kosovës shfrytëzohen për konsum (pirje), ujitje dhe prodhimin e energjisë elektrike. Peshkataria është sektorë me potencial për zhvillim pasi që Kosova disponon lumenj dhe liqeje për mbarështimin e peshkut në kushte intenzive. Sipas të dhënave për Hidrografinë e Kosovës, vlerësohet se Republika e Kosovës ka vetëm 1,600 m³/ujë/vit për kokë banori.
MBPZhR njofton se për realizimin e projektit ekspertiza gjermane dhe vendore do të mbështeten edhe nga Federata e peshkatarëve Sportiv – Rekreativ e Kosovës.
“Theksojmë se me realizimin e këtij projekti gjithashtu do të përmbushet njëri nga rekomandimit të dalë Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA)”, thuhet në njoftim.























