Bregu: Konfliket mes ekonomive pengojnë investimet në rajon
BKT
Ekonomi

Bregu: Konfliket mes ekonomive pengojnë investimet në rajon

B.H. / RTKlive

Ballkani Perëndimor ka bërë përparim të rëndësishëm në dy dekadat e fundit, por ende nuk është aty ku shpresonin qytetarët dhe partnerët se do të ishte pas më shumë se 20 vitesh. Kështu ka deklaruar Majlinda Bregu, Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) në hapjen e takimit Ministror të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) në Nju Jork.

Ky takim u mbajt në bashkëorganizim nga RCC dhe kryesia e SEECP-së në Shkup, në mes të javës së nivelit të lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

“Fatkeqësisht, konfliket që  vazhdojnë mes ekonomive mund të pengojnë investimet dhe rritjen ekonomike në rajon. Duke pasur parasysh këtë dhe sfondin e ndryshimeve të mëdha gjeopolitike, ne duhet të mendojmë për evolucionin e entiteteve rajonale si SEECP, funksioni i të cilave mund të jetë parandalimi dhe zgjidhja e mosmarrëveshjeve përpara se ato të arrijnë në faza të vështira. A mund ta përfytyrojmë SEECP si një bastion rajonal - një pasqyrim i vërtetë i karakteristikave unike të Evropës Juglindore, i lidhur nga vlerat e përbashkëta që i bëjnë jehonë etikës së Bashkimit Evropian", tha Bregu, njofton RCC.

Ajo tutje ka theksuar se "si përgjegjës të bashkëpunimit rajonal, ne jemi plotësisht të vetëdijshëm për përçarjet mbizotëruese në nivel botëror – si lufta e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës”.

“Historia jonë kolektive na ka treguar se kur kornizat institucionale ndërkombëtare ngushtohen,  organet rajonale mund të ndërhyjnë për të siguruar stabilitet, vazhdimësi dhe për të dhënë drejtimin e duhur”, shtoi Bregu.

Ajo theksoi se rritja e ekonomive të Ballkanit Perëndimor është ngadalësuar ndjeshëm gjatë dekadës së fundit pasi kërkesat e brendshme kanë qenë të moderuara dhe rritja nga eksportet është ulur prej konkurrueshmërisë së dobët.

“Migrimi dhe ikja e trurit shkaktojnë sfida të mëdha për të gjitha shoqëritë në rajon. Megjithatë, përparimi varet nga zbatimi dhe besueshmëria. Integrimi më i afërt me BE-në në sektorë të tillë si tregtia, klima, energjia, kërkimi, shëndetësia dhe politika e jashtme dhe e mbrojtjes do t'i bënte ekonomitë kandidate të ndihen si pjesë e hapësirës së BE-së edhe kur janë ende në rrugën e tyre drejt anëtarësimit. Por ndërkohë që këto ide po zgjidhen, do të vazhdojë të jetë e rëndësishme të përqendrohemi në hapa praktikë për të ndërtuar lidhje, identitet dhe bashkëpunim edhe përmes mjeteve të tjera”, nënvizoi Bregu.

Ajo më tej tha se çështja e kësaj mbledhje nuk është nëse SEECP ka një rol për të luajtur, por ka të bëjë me atë se sa proaktiv dhe transformues duhet të jetë ai rol dhe si mund të kontribuohet së bashku për këtë qëllim. Ajo ka ftuar më pas pjesëmarrësit e SEECP të angazhohen më me vendosmëri në një përpjekje të përbashkët për zbatimin e Strategjisë SEE2030, si mjeti i vetëm i zhvillimit të qëndrueshëm në rrugën gjithëpërfshirëse drejt përmirësimit global.


MË SHUME NGA Ekonomi