Shkarkohet bordi mbikqyrës i ndërmarrjes publike ‘Trepça’
M.P. / RTKlive
Është shkarkuar bordi mbikqyrës i Ndërmarrjes publike “Trepça” në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Kosovës.
“Bordi mbikëqyrës i ndërmarrjes ‘Trepça’ është themeluar me vendim të Qeverisë së Kosovë më 2 shkurt 2022, ku me 20 shtator 2023 kanë dhënë dorëheqje dy nga anëtarët ndërsa kanë mbetur tre anëtarë, pra aktualisht Bordi është jo funksional”, ka thënë Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Arsyeja e shkarkimit sipas Rizvanollit ndrëlidhet me mos kryerjen e detyrave nga ana e Bordit, përkatësisht mos miratimin e strategjisë zhvillimore të ndërmarrjes, mos miratimin e rregulloreve për kompensimin e punëtorëve në përputhje me realizimin e planit të prodhimeve dhe të të hyrave si dhe një sërë shkeljesh tjera.
“Njësia për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike ka konstatuar që Bordi ka shkelur detyrat dhe i ka propozuar Qeverisë së Kosovës si aksionare shkarkimin e këtij Bordi Mbikëqyrës. Andaj, propozoj shkarkimin e bordit ekzistues dhe emërimin e një bordi të përkohshëm, deri në rekrutimin e një bordi të ri. Ky bord, mandatin nuk mund ta ketë më të gjatë se gjashtë muaj”, ka përfunduar ajo.























