Murati: Ka përmirësim ekonomik në Kosovë
M.P / RTKlive
(E përditësuar, ora 11:34) Ministri i Financave, Hekuran Murati në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike, tha se ka përmirësim ekonomik në vend, sipas opinionit të ZKA-së për pasqyrat e menaxhimit vjetor.
“Kemi përmirësim të vazhdueshëm vit pas viti, që është konfirmuar edhe nga Zyra Kombëtare e Audimit, e që të kaluarën nuk është përdorur shkalla e njëjtë e vlerësimit sa i përket opinionit përfundimtar të pasqyrave vjetore”, ka thënë Murati.
Ai tha se planifikojnë organizimin e një takimi në fund të vitit në mënyrë që të shihet zbatimin e rekomandimeve nga auditimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit.
Spanca: Borxhi shtetëror arriti në vlerë prej 1 miliardë e 753 euro
Ka nisur mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, gjatë së cilës po shqyrtohet Raporti i Auditorit të Përgjithshëm për Raportin Vjetor të Auditimit të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2022.
Auditorja e Përgjithshme e Zyrës Kombëtare të Auditimit, Vlora Spanca, tha se auditimet në nivel qendror janë kryer në të gjitha komunat përveç Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit e Zubin Potokut, “për arsye tashmë të ditura”, raporton RTKlive.
“Në vitin 2022 të kemi një suficit prej 13 milionë e 980 euro. Përderisa në vitin 2021 deficiti buxhetor ishte minus 50 milionë euro. Borxhi shtetëror në fund të vitit 2022 kishte arritur në vlerë prej 1 miliardë e 753 milionë euro, apo rreth 20% të BP-së që do të thotë se është në kuadër të limiteve të përcaktuara me ligj. Borxhi ndërkombëtar ishte 641 milionë e 200 mijë euro”, ka thënë Spanca.
Auditorja e ZKA-së, ka theksuar se për punonjësit serb që paguhen nga buxheti i shtetit pa shkuar fare në punë. Kjo është bërë falë Marrëveshjes se Brukselit e që i ka kushtuar buxhetit 800 mijë euro për 129 punonjës.
“Kryerja e pagesave në vlerë prej afër 800 000 €, për punonjës të komunitetit serb të angazhuar në bazë të Marrëveshjes se Brukselit pa u evidentuar vijueshmëria e tyre në punë; Në krahasim më vitin e kaluar janë ndërmarrë disa masa. (Nga 199 sa ishin në vitin e kaluar, këtë vit kanë mbetur 129 punonjës të shpërndarë në 4 ministri”, ka theksuar Spanca.
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka adresuar një varg kritikash në adresë të ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati. Ajo ka thënë se të hyrat financiare janë rritur për shkak të inflacionit.
“Nëse një produkt ka kushtuar një euro dhe TVSh-ja është 18 për qind, atëherë shteti i inkasuar 18 cent dhe nëse produkti është rritur në 1.50, atëherë i keni inkasuar 27 cent dhe arsyeja e rritjes së të hyrave është inflacioni dhe kjo i bie që në kurriz të qytetarëve”, ka deklaruar ajo.
Edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa, ka theksuar se gjetjet e vitit 2021 me atë të vitit 2022 janë të njëjta. Ai si shembull e mori pagesat e qytetarëve serbë të punësuar në bazë të Marrëveshjes së Brukselit, të cilët paguhen pa shkuar në punë.
Ndërsa, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mirlinda Tishukaj-Sadriu, ka deklaruar se për shkak të neglizhencës, Vitia është lënë pa u kyçur në autostradë. Dhe sipas saj, kyçjen po e bën kjo qeveri.
“Kyçja e Vitisë në autostradë nuk është bërë për 12 vite dhe është lënë për shkak të 2 milionë eurove anash. Është pikërisht LDK që Ligjin për Çmimin për Tavan e ka dërguar në Kushtetuese dhe pikërisht një kryetar komune nga PDK e ka dërguar në Gjykatë Kushtetuese Ligjin për Tatimin në Pronë”, ka thënë ajo.























