Ismaili takohet me drejtuesit e Këshillit të Byrove për Kartonin e Gjelbër
ShÇ/ RTKlive
Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili ka takuar drejtuesit e lartë të Këshillit të Byrove në Bruksel, Sandra Schwarz – Presidente dhe Greet Flore – Drejtoreshë Menaxhuese. Pjesë e delegacionit ishin edhe përfaqësuesit nga Byroja Kosovare e Sigurimit në krye me Sami Mazrekun drejtor i BKS-së dhe zyrtarë të Ambasadës së Kosovës në Bruksel.

"Guvernatori Ismaili i informoi për zhvillimet e fundit dhe progresin në sektorin financiar, me theks në industrinë e sigurimeve në Republikën e Kosovës. Gjithashtu, Guvernatori Ismaili argumentoi nevojën dhe pengesat që mungesa e Kartonit të Gjelbër shkakton për bizneset, qytetarët e vendit tonë dhe diasporën lidhur me lëvizjen e lirë", thuhet në njoftim..
Sipas njoftimit, për të arritur këtë objektiv të rëndësishëm për lëvizje të lirë të njerëzve dhe mallrave, u diskutuan mënyrat dhe aranzhmanet e mundshme për adresimin e kësaj çështjeje.
"Drejtuesit e lartë të Këshillit të Byrove, falënderuan delegacionin e Republikës së Kosovës për vizitën dhe u shprehën të gatshëm të shqyrtojnë mundësitë dhe aranzhmanet potenciale alternative për një zgjidhje të kësaj çështjeje. Megjithatë, ata ri-kujtuan se kufizimet ligjore që vijnë nga Statuti i Këshillit të Byrove, përbëjnë sfidën kryesore që kërkon kohë për adresim", theksohet në njoftim.
Sipas njoftimit, guvernatori Ismaili theksoi përkushtimin e BQK-së për këtë qëllim, mbështetjen nga Qeveria dhe institucionet e Republikës së Kosovës dhe bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë për të gjetur një zgjidhje në këtë drejtim.























