Rasti ’Contour Global’, Gërxhaliu: Realitet që e ka goditur Kosovën
E. Hoti/RTKlive
Eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu i ftuar në ‘Info Plus’ në RTK, ka komentuar humbjen e Kosovës në arbitrazh me kompaninë ‘’Contour Global’ me ç`rast do të detyrohet të paguajë dëmshpërblim prej 20 milionë eurosh.
Lajme të tilla, për Gërxhaliun nuk janë risi, sepse siç tha ai, jemi mësuar me procedura të tilla të Gjykatave të Arbitrazhit qoftë në Postë, Telekom, KEK dhe ndërmarrje tjera.
“Në Kosovë po ndodhin dukuri të tilla, mirëpo këtë vendim e shoh në dy dimensione. E para nuk ka më keq se të jesh i dëmtuar, i gjykuar, apo i penalizuar. Në anën tjetër besoj që është një ndër fitoret më të mëdha sa i përket mafisë ballkanike e cila e ka monopolin e furnizimit me energji elektrike. Një zyrë në Londër, një në Banjallukë, një në Tiranë, tjetra në Beograd dhe si duket po funksionon në mënyrë përsosur edhe në Kosovë”, ka theksuar Gërxhaliu.
Duke folur për ndërprerjen e kontratës, ai ka theksuar se ka qenë sa shqetësuese aq edhe e habitshme për faktin se Kosova kishte nevojë për energji elektrike.
“Ka qenë një moment kur kemi pasur mundësi të jemi një shtet që eksporton energji elektrike dhe jo të importojë. Kanë qenë rregullativa evropiane të tilla që ende kanë mundësuar të futet në përdorim thëngjilli dhe tani jemi të vonuar. Në vend që të jemi ata që do të ishim eksportues të energjisë elektrike, në dimër do të paguhet çmim shumë i lartë sepse kjo duhet të importohet”, është shprehur ai.
Sipas tij, në këtë kohë të inflacionit dhe krizës dhe kur ka tregti spekulative qytetarët janë të goditur më së shumti.
“Ky realitet nuk na ka befasuar.Nuk na ka befasuar nga fakti se si duket bashkëpunimi mes njerëzve të krimit të organizuar funksionon edhe me qarqe të caktuara politike në Kosovë. Fakti i refuzimit dhe fakti se në shumë raste të tjera që është gjobitur Kosova kanë qenë të lidhura drejtpërdrejtë me institucionet vendore, apo me akterët nga brenda dëshmon më së miri se në Kosovë shumë më lehtë është të merresh me krim se sa ta luftosh atë”, ka thënë ai.
Ndërkaq lidhur me paralajmërimin e Ministrisë së Drejtësisë se do të apelojë ndaj këtij vendimi, ai tha se instanca të tilla të Gjykatës së Arbitrazhit çfarë është kjo janë instanca të fundit ku duhet të ekzekutohet një vendim i tillë.
“Mund të apelohet, mund të fitohet në kohë, mund të priten zgjedhje tjera, mund të ketë kalkulime të ndryshme politike, por edhe në qoftë se do të ketë ndonjë pezullim po e shihni që prapë verdikte të tilla të Gjykatave të Arbitrazheve po e kanë fuqinë e vet ekzekutuese”, ka deklaruar Gërxhaliu.
Ai tha se ka pasur edhe raste tjera qoftë në Telekom, qoftë në Postë ku janë refuzuar, mirëpo penale tjera kanë ardhur shumë më të larta.
“Ky është një realitet që e ka goditur Kosovën. Duhet të luftohen këto gjëra sepse Kosova meriton më tepër”, ka thënë Gërxhaliu.























