Përfundoi aktiviteti për pyjet në Kosovë
Sh. Gashi / RTKlive
Në Radushë të Istogut është mbajtur aktiviteti “Kampi Pyjor i Kosovës 2023” i cili ka zgjatur prej datës 9 deri më 13 tetor 2023, sot ishte dita e fundit e këtij aktivitetit.
Menderes Ibra drejtor i Agjencisë së Pyjeve të Kosovës, sot në emisionin ‘Pasdite’ në RTK, ka folur rreth këtij aktiviteti.
“Sot është përmbyllur aktiviteti Kampi Pyjor i Kosovës që këtë vit është organizuar për herë të parë me anë të një projekti që financohet nga Qeveria e Suedisë dhe nga Komisioni Evropian pra një aktivitet ky i organizuar edhe në bashkëpunim edhe me Ministrin e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Kosovës”, tha ai.
Kampi Pyjor është krijuar si një mundësi e jashtëzakonshme për të shpalosur dhe demonstruar tema dhe praktika të mira të cilat mundësojnë rritjen e njohurive për menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve në Kosovë, si dhe njohjen me vlerat ekologjike dhe ekonomike të pyjeve që janë tejet të rëndësishme për vendin dhe për komunitetet vendore në veçanti.
“Qëllimi kryesor i këtij aktiviteti ishte që të fillohet me një praktikë e cila shpresojmë të bëhet tradicionale siç është edhe ne vende tjera që për disa ditë ose për një javë bashkohen të gjithë akterët e sektorit të pylltarisë duke filluar që nga institucionet Ministria e Bujqësisë, Agjencia e Pyjeve të Kosovës ministritë tjera organizatat jo qeveritare shoqëria civile dhe ekspert tjerë vendor e ndërkombëtar”, tha Ibra.























