Guvernatori Ismaili: Sektori i sigurimeve, potencial i madh për zhvillim
BKT
Ekonomi

Guvernatori Ismaili: Sektori i sigurimeve, potencial i madh për zhvillim

M.P. / RTKlive

Banka Qendrore e Kosovës është prezantuar në konferencën “Zhvillimi i Sektorit të Sigurimeve në Evropën Juglindore - mundësitë dhe sfidat”.

Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, ka theksuar se tregu i sigurimeve në vendin tonë konsiderohet ende i ri në kuptim të avancimit dhe ka potencial të madh për zhvillim të mëtutjeshëm.

“Ekziston një shkallë e caktuar përqendrimi në tregun e sigurimeve për sa i përket klasave të sigurimit. Sektori i sigurimeve dominohet nga segmenti i jojetës me 95.2 për qind, i cili nga ana tjetër dominohet nga Sigurimi i Përgjegjësisë së Automjeteve ndaj Palëve të Treta me 58.9 për qind”, theksoi i pari i BQK-së në konferencën e mbajtur në Tiranë.

Gjithashtu, Guvernatori Ismaili ka theksuar se BQK-ja është e angazhuar në përmirësimin e infrastrukturës ligjore dhe përafrimin me atë të Bashkimit Evropian.

Në këtë panel, drejtuesi i BQK-së ka folur edhe për planet për sektorin e sigurimeve, që përfshin lëvizjen drejt Solvency II, zbatimin e Standardit Ndërkombëtar të Raportimit Financiar 17, që lidhet me sektorin e sigurimeve, duke paraqitur edhe sfidat për zbatimin e këtyre standardeve.Në fund, Ismaili ka përmendur edhe sfidën e anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Këshillin e Byrove.

“Për arsye politike, aktualisht Kosova nuk është në gjendje të anëtarësohet në Këshillin Ndërkombëtar të Byrove. Mospajisja me Kartonin e Gjelbër të mjeteve motorike me targa RKS është pengesë serioze në lëvizjen e lirë të njerëzve (makinave) dhe mallrave (transportit), e cila kërkon zgjidhje të menjëhershme me mbështetjen e institucioneve”, ka përfunduar Ismaili.


MË SHUME NGA Ekonomi