BB nxjerr raport të ri, parashikon rritje ekonomike në dy vitet e ardhshme
Visar Krasniqi|RTK
Një sërë kushtesh të jashtme sfiduese po ushtrojnë presion mbi të gjitha ekonomitë e Evropës. Rritja po e ul shpejtësinë në mbarë Ballkanin Perëndimor.
Edhe Kosova ndikohet nga këta trendë. Kështu thotë në një deklaratë menaxheri i Bankës Botërore për Kosovë Massimiliano Paolucci, duke iu referuar raportit më të ri për perspektivën ekonomike të Kosovës, edhe pse ritmi i rritjes së Bruto Prodhimit Vendor në Kosovë është ngadalësuar, Kosova e ka vërtetuar më parë se u bën ballë sfidave.
“Projeksioni i fundit i Bankës Botërore është që aktiviteti ekonomik do të zgjerohet për 3.2% në vitin 2023, i mbështetur nga performanca pozitive e eksporteve dhe aktiviteti i konsumit, përpara se të përshpejtohet në 3.9% në vitin 2024. Inflacioni ka qenë në rënie të vazhdueshme, por presionet mbi çmimet mbeten të rritura. Inflacioni i lartë përbën sfidë të veçantë për të varfrit, pasi që ushqimi dhe energjia përbëjnë një pjesë më të madhe të shpenzimeve të tyre”, tha Massimiliano Paolucci, menaxheri i Bankës Botërore për Kosovë.
Raporti parashikon se kontributi i investimeve në rritjen ekonomike pritet të zmadhohet në periudhën 2024-2025, i mbështetur nga rritja e investimeve në infrastrukturë publike, duke përfshirë mbështetjen e financimit të jashtëm, dhe investimet më të larta publike dhe private në furnizimin dhe efiçiencën e energjisë.
“Në vijim, Kosova duhet të rrisë përballueshmërinë e saj ndaj goditjeve të jashtme duke avancuar reformat strukturore për çlirim të rritjes potenciale më të lartë dhe për ta përshpejtuar konvergjencën me vendet homologe të krahasueshme në BE”, u shprehë Paolucci.
Sipas Paoluccit, është i domosdoshëm zbatimi në kohë dhe efektiv i Strategjisë së re të Energjisë duke ruajtur mjaftueshmërinë fiskale, krahas nevojës për t'i reduktuar hendekët e tjerë infrastrukturorë në ujëra, mbeturina dhe lidhshmëri. Përmirësimet në rezultatet e tregut të punës duhet të fokusohen në mbështetjen e përfshirjes më të madhe të grave në tregun e punës, duke reduktuar barrierat ndaj pjesëmarrjes dhe rritur qasjen në shërbimet e kujdesit për fëmijët.























