Ismaili:Vetëdijesimi i qytetarëve për rëndësinë e kursimeve, synim i BQK-së
Sh. G./ RTKlive
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës nëpërmjet edukimit financiar do të kontribuojë në vetëdijesimin e qytetarëve për rëndësinë e përgjegjësisë financiare për kursime në të ardhmen.
Kështu është shprehur Guvernatori Ahmet Ismaili para ligjëratës të mbajtur para nxënësve të Gjimnazit "Xhevdet Doda", në hapësirat e BQK-së në Ditën Botërore të Kursimeve, duke shtuar se BQK-ja do ta ketë në fokus edukimin dhe promovimin e qasjes dhe gjithëpërfshirjes në financa.
"BQK-ja do ta ketë në fokus edukimin financiar, qasjen në financa dhe promovimin e gjithëpërfshirjes financiare, në bashkëpunim me institucionet relevante. Bota po ndryshon shpejt e ne duhet të jemi në hap me të, ndryshimet e avancuara të teknologjisë informative dhe transformimit digjital, ndryshimet mjedisore e sociale, të cilat janë bërë pjesë e përditshmërisë tonë, e ne duhet të përgatitemi të përballemi me to", theksoi Guvernatori Ismaili.
Sipas Guvernatorit Ismaili, këto aktivitete nga BQK-ja po mbahen me qëllim të vetëdijesimit dhe nxitjes së të rinjve për t’u informuar e kuptuar aftësinë e menaxhimit të duhur të buxhetit dhe planifikimit të së ardhmes.
"Banka Qendrore e Republikës së Kosovës këtë ditë për të 8-tin vit me radhë e shënon përmes aktiviteteve të vetëdijesimit, edukative e informuese me qëllim të nxitjes së nxënësve dhe të rinjve për t’u informuar e kuptuar aftësinë e menaxhimit të duhur të financave. Sot me shumë se kurrë është e rëndësishme dhe e nevojshme që të kultivojmë një kulture të mirëfilltë te menaxhimit e mbrojtjes se financave personale dhe mbrojtjes se ambientit, në mënyrë që në aspektin social e mjedisor si individ, si familje apo si shoqëri të kemi stabilitet e qëndrueshmëri", shtoi Guvernatori i BQK-së.
Guvernatori Ismaili po ashtu ka potencuar se të rinjtë duhet të krijojnë njohuri dhe shprehi për kursime. Ai ka zyrtarizuar shpalljen e konkursit për dhjetë esetë më të mira, për nxënësit e klasave X-XII të shkollave të arsimit të mesëm të lartë të Republikës së Kosovës.























