SHBK përmbyll aktivitetet për ndërgjegjësimin mbi sigurinë kibernetike
V.Th. RTKlive
Shoqata e Bankave të Kosovës njofton se ka përmbyll aktivitetet e tetorit, muajit për ndërgjegjësimin mbi sigurinë kibernetike.
Sipas njoftimit synimi i tyre ishte informimi sa më të madh i publikut rreth rreziqeve që ekzistojnë nga krimi kibernetik, por mbi të gjitha mënyrave të mbrojtjes dhe identifikimin e mashtrimeve në internet.
“Me anë të videove vetëdijësuese, këshillave, intervistave me ekspertë të fushës dhe organizimit të Forumit “Siguria Kibernetike në Industrinë Bankare”, SHBK ka punuar në mënyrë intensive për rritjen e ndërgjegjësimit të publikut për rëndësinë që ka siguria kibernetike’, thuhet në njoftim.
Përgjatë tetorit SHBK ka publikuar disa video të animuara në të cilat janë shpjeguar rreziqet e klikimit në linçe të panjohura, video për mbrojtjen dhe mos ndarjen e të dhënave financiare, rëndësinë e vendosjes së fjalëkalimeve të sigurta dhe identifikimin e email-ave phishing.
Videot e shpërndara në rrjetet sociale kanë arritur te një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve të Kosovës. Përmes tyre SHBK ka ofruar udhëzime praktike dhe këshilla të thjeshta por tejet të vlefshme në zvogëlimin e rreziqeve.
Intervistat me ekspertë të fushës së sigurisë kibernetike janë një tjetër aktivitet që kemi realizuar në muajin tetor. Intervista e parë ka trajtuar temën “Sfidat e sektorit bankar në fushën e sigurisë kibernetike dhe praktikat më të mira të mbrojtjes”, ndërsa intervista e dytë temën “Mënyrat e mbrojtjes së të dhënave personale dhe identifikimi i mashtrimeve online dhe përmes telefonit”. Përveç intervistave të realizuara nga stafi i SHBK-së anëtarët e komitetit të Sigurisë Kibernetike të Shoqatës së Bankave të Kosovës kanë mbajtur intervista edhe në televizione dhe radio për të depërtuar te një pjesë edhe më e madhe e shoqërisë kosovare.
“Një nga momentet më të rëndësishme të muajit të sigurisë kibernetike ishte organizimi i forumit të përbashkët me Shoqatën Shqiptare të Bankave, i mbështetur nga Fondi Evropian për Evropën Juglindore. Forumi “Siguria Kibernetike për Industrinë Bankare” ofroi një platformë për ndarjen e përvojave dhe praktikave më të mira në fushën e sigurisë kibernetike. Diskutimet dhe prezantimet në këtë forum kanë ndihmuar institucionet bankare, institucionet shtetërore dhe organizatat e ndryshme të thellojnë bashkëpunimin në parandalimin e sulmeve kibernetike”, thuhet tutje.
SHBK thonë se siguria kibernetike është një përgjegjësi e përbashkët dhe se janë të përkushtuar që ta përmbushur këtë përgjegjësi me sukses dhe përkushtim.























