Ismaili: BQK-ja i trajton me kujdes rreziqet që paraqiten në sistem bankar
BKT
Ekonomi

Ismaili: BQK-ja i trajton me kujdes rreziqet që paraqiten në sistem bankar

SH.Ç/RTKlive

Banka Qendrore e Kosovës dhe USAID-i kanë organizuar forumin “Bankat, Fintech dhe bizneset, ndërtimi i sinergjive për përshpejtimin e qasjes në financa”.

Guvernatori i Bankës Qendrore, Ahmet Ismaili, tha se ky projekt ndihmon në perspektivën ekonomike dhe në sistem financiar më efikas.

Ai tha se BQK-ja është e angazhuar të zhvillojë dhe krijojë mundësitë për qasjen në sistemin e pagesave të ofruesve të shërbimeve jobankare, rritjen e konkurrueshmërisë dhe mundësimin e posedimit të IBAN-it, për të rritur qasjen në financa, në kuadër të konceptit të llogarisë për pagesa.Ismaili shtoi se BQK do të trajtojë me kujdes edhe rreziqet që paraqiten, sikurse janë rreziku strategjik, reputacional, operacional, kibernetik dhe rreziku i pajtueshmërisë.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Ahmet Ismaili në fjalën hyrëse të konferencës "Bankat, fintekët dhe bizneset: Ndërtimi i sinergjive për përshpejtimin e qasjes në financa", bashkë-organizuar USAID nga BQK-ja, theksoi se institucioni më i lartë financiar në vend është duke zhvilluar projekte në funksion qasjes në financa, rritjes se konkurrueshmërisë, alternativave dhe përmirësimit të shërbimeve ndaj qytetarëve.

Ai theksoi se BQK-ja është në proces të avancimit të kornizës rregullative dhe mbikëqyrëse dhe infrastrukturës në fushën e shërbimeve të pagesave, në drejtim të harmonizimit me legjislacionin e BE-së, si pjesë të Planit Strategjik dhe objektivave të reja të vendosura.

"Banka Qendrore e Republikës së Kosovës sipas mandatit ligjor dhe përmes Strategjisë së saj është në proces të avancimit të kornizës rregullative dhe mbikëqyrëse dhe infrastrukturës në fushën e shërbimeve të pagesave, në drejtim të harmonizimit me legjislacionin e Bashkimit Evropian, PFMI dhe standardet tjera ndërkombëtare në funksion të anëtarësimit në SEPA dhe sistemet e pagesave të BE-së", u shpreh Guvernatori Ismaili.

Guvernatorit Ismaili thekoi se anëtarësimi në TIPS dhe skemën SEPA mbetet objektiv strategjik i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, i cili do të lehtësonte tregtinë dhe forconte stabilitetin e sistemit financiar, ku në këtë mënyrë do të kontribuonte ndjeshëm në një sistem inovativ, efikas dhe të integruar të pagesave.

Në këtë konferencë, ai vuri në pah se avancimi i shërbimeve financiare drejt transformimit të pagesave elektronike, kontribuon në rritjen e konkurrencës dhe zvogëlimin e informalitetit në vend. Për këtë, BQK ka plane konkrete dhe është plotësisht e angazhuar ne këtë drejtim.

"Avancimi i shërbimeve financiare drejt transformimit të pagesave elektronike (jo-në para të gatshme) dhe produktet alternative te financimit do të kontribuojnë në gjithëpërfshirjen financiare, rritjen e konkurrencës dhe uljen e kostos, zvogëlimin e informalitetit dhe rritjen e efektivitetit, si dhe ofrimin e shërbimeve cilësore ndaj qytetarëve nga institucionet financiare si dhe integrimin e qytetarëve tanë dhe bizneseve me rajonin dhe vendet e BE-së", vë në pah Guvernatori Ismaili.

Gjithashtu, i pari i BQK-së theksoi se do të investohet në ngritjen e kapaciteteve infrastrukturore dhe burimeve njerëzore.

"Duke investuar në këtë drejtim, do të sigurohemi se sistemet, pajisjet, njohuritë, aftësitë dhe mjetet e personelit mundësojnë transforimimin dhe janë relevante dhe efektive në mbikëqyrjen e rreziqeve të teknologjive të reja dhe modeleve inovative të biznesit", theksoi i pari i BQK-së.

Tutje, Guvernatorit Ismaili njoftoi se BQK-ja është e angazhuar në avokimin për shtimin e Republikës së Kosovës në platformat ndërkombëtare të pagesave, për mundësimin e qasjes në platformat ndërkombëtare të pagesave (Paypal, ApplePay, GooglePay, SamsungPay, etj.) për mbështetje të e-commerce dhe të zhvillojë infrastrukturën teknike për mundësimin e pagesave të shpejta 24/7, krijimin e QR Kodit kombëtar dhe standardizimin e API për ndërlidhjen e sistemeve", tha Guvernatorti Ismaili në fjalimin e tij.

Megjithatë, zhvillimet e reja teknologjike dhe digjitalizimi sjell edhe rreziqet shtesë, të cilat kërkojnë adresim dhe shumë kujdes. Lidhur me këtë, BQK-ja ka planifikuar edhe krijimin e funksionit të veçantë për mbikëqyrjen e sistemeve të informacionit apo rrezikut kibernetik si dhe fuqizimin e edukimit financiar, si mjet për të pasur një trajtim korrekt dhe të drejtë të kërkesave që rrjedhin nga këto shërbime.

"BQK-ja do të trajtoj me kujdes edhe rreziqet që paraqiten sikurse janë rreziku strategjik, reputacional, operacional, kibernetik dhe rreziku i pajtueshmërisë dhe do të punojë ngushtë edhe me institucionet akademike në realizimin e hulumtimeve dhe kërkimeve shkencore lidhur me fushën e qasjes në financa dhe gjithëpërfshirjen financiare", potencoi i pari i BQK-së.

Gjatë këtij fjalimi, Guvernatori Ismaili kërkoi që institucionet financiare bankare dhe jo-bankare duhet të adresojnë rrezikun kibernetik dhe të investojnë në infrastrukturë e të kenë personel të mjaftueshëm të kualifikuar për të monitoruar dhe mbikëqyrur aktivitetet e tyre të kontraktuara nga palët e treta.

"Këto institucione duhet të kenë parasysh faktorët që të sigurojnë vazhdimësinë e biznesit, konfidencialitetin dhe integritetin e informacionit kur kontraktojnë shërbime nga palët e jashtme, si dhe të shtojnë vëmendjen për pronësinë e jashtme dhe prejardhjet e fondeve te klientëve, përmes mekanizmave te vëzhgimit (Investor’sScreeningMechanism), duke pasur parasysh rreziqet aktuale gjeostrategjike", kërkoi Guvernatori Ismaili.

Në fund, Guvernatori Ismaili nënvizoi rëndësinë e projektit të USAID-it, duke shtuar se ai është një mjet i rëndësishëm për të arritur realizimin e objektivit dhe Planit Strategjik të BQK-së. 

"BQK-ja e konsideron se projekti i USAID-it për Promovim të Investimeve dhe Qasje në Financa është një aktivitet i rëndësishëm qe kontribuon në realizimin e objektivave dhe Planit Strategjik të saj, ndaj përmes prezencës sot konfirmon gatishmërinë dhe mbështetjen ne arritjen e qëllimeve sa zhvillimore ashtu edhe të cilësisë dhe shërbimeve financiare me përfshirje të gjerë", përfundoi Guvernatori Ismaili.

Ndërsa, në emër të bashkë organizatorit në fjalën e tij hyrëse, Drejtori i Zyrës për Rritje Ekonomike i USAID-it në Kosovë, Z. AlexanderAlbertine tregoi se përmes aktivitetit për Promovim të Investimeve dhe Qasje në Financa po punohet që të sigurohet që Kosova të shfrytëzojë plotësisht ekosistemin e saj financiar.

"USAID-i përmes aktivitetit për Promovim të Investimeve dhe Qasje në Financa është i përkushtuar që të sigurojë që Kosova të shfrytëzojë plotësisht ekosistemin e saj financiar. Bashkëpunimi me Bankën Qendrore të Kosovës e dëshmon këtë përkushtim. Ne po vazhdojmë të punojmë ngushtë me të gjitha palët e interesuara për të inkurajuar futjen e zgjidhjeve dhe teknologjive inovative midis bankave dhe fintekëve, duke përmirësuar kështu ekosistemin e përgjithshëm financiar", theksoi Albertine.


MË SHUME NGA Ekonomi